Një shpërthim i fuqishëm i një bombole gazi ka plagosur gjashtë anëtarë të një familjeje në Lezhë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:30, në një banesë dykatëshe në pronësi të Saimir Kolës.
Familja po përgatitej të shkonte në një dasmë, pasi Saimir Kola do të martonte mbesën, kur bombola e gazit ka shpërthyer në rrethana ende të paqarta, raporton “AbcNews”.
Si pasojë e shpërthimit kanë mbetur të plagosur dy fëmijë të mitur, 10 dhe 13 vjeç, kryefamiljari 40-vjeçar, si dhe tre gra, përkatësisht 64, 70 dhe 58 vjeçe.
Pjesa më e madhe e familjarëve ndodheshin në oborr në momentin e shpërthimit, çka ka bërë që pasojat të mos jenë edhe më të rënda. Megjithatë, shpërthimi ka shkaktuar dëmtime të konsiderueshme në banesën dykatëshe.



