Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me 85 vota reformën e re administrativo-territoriale, duke i hapur rrugë hartës së re që redukton numrin e bashkive në Shqipëri nga 61 në 46.
Për miratimin e reformës kërkoheshin pikërisht 84 vota. Drafti i Partisë Socialiste parashikon shkrirjen e 15 bashkive me njësi të tjera vendore.
Votimi u zhvillua pas një seance maratonë, të shoqëruar gjatë gjithë ditës me debate të forta mes mazhorancës dhe opozitës për hartën e re territoriale. Në momentin e votimit, deputetët e PD-së tentuan të bllokonin procesin, duke kërkuar nga drejtuesi i seancës që votimi të mos zhvillohej.
Pro projektligjit të kundërshtuar fort nga opozita votoi edhe deputeti socialist Erion Braçe, i cili kishte kundërshtuar publikisht hartën e re territoriale në disa fjalime të tij.

