Prokuroria Themelore Publike në Kumanovë ka nisur hetime lidhur me elementet e një vepre të mundshme penale, që lidhet me thirrje që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, pas brohoritjeve antishqiptare të bëra nga persona të panjohur gjatë një ndeshjeje basketbolli mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, të zhvilluar në Kumanovë më 2 gusht.
Në ndeshjen, e cila ishte në kuadër të fazës së dytë parakualifikuese për Kupën e Botës që do të mbahet në Katar më 2027, morën pjesë edhe zyrtarë të lartë të Qeverisë maqedonase.
Sipas politikanëve shqiptarë në Maqedoni të Veriut gjatë kësaj ngjarjeje sportive u dëgjuan thirrje sikurse “shqiptar i mirë është shqiptar i vdekur”, “dhoma gazi për shqiptarët”, “Maqedoni e pastër”.
Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, shqiptarët përbëjnë 24.3 për qind nga numri i përgjithshëm i popullsisë prej 1.8 milion banorësh.
