Ish-president i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dyshohet se kishte shqyrtuar mundësinë e përdorimit të forcës për të qëndruar në pushtet pas humbjes në zgjedhjet parlamentare, por në momentet e fundit kishte ndryshuar qëndrim pas presionit nga përfaqësues të qeverive europiane. Kështu raporton gazeta britanike The Times, duke u bazuar në deklaratat e politikanëve dhe të një ish-zyrtari të lartë të policisë serbe.
Sipas gazetës, zgjedhjet e 25 tetorit dhe fitorja e thellë e Listës Studentore përbënin sfidën më të madhe politike për Vuçiqin gjatë 12 viteve të tij në pushtet. Burimet e cituara pretendojnë se presidenti serb kishte shqyrtuar mundësinë e mosnjohjes së rezultatit dhe nxitjes së trazirave për të penguar ndryshimin e pushtetit
Spasoje Vuleviç, ish-komandant i Njësisë Speciale Kundër Terrorizmit në Serbi, pretendon se mijëra policë dhe persona të lidhur me pushtetin ishin vendosur në qendër të Beogradit, në një operacion që, sipas tij, synonte mbrojtjen e regjimit.
“Jam 100% i sigurt se ai kishte planifikuar të mos i njihte rezultatet”, citohet të ketë thënë Vuleviç për The Times.
Edhe eurodeputeti Sandro Gozi, drejtues i Partisë Demokratike Europiane, ka deklaruar se gjatë ditës së zgjedhjeve kishin mbërritur informacione shqetësuese nga burime diplomatike, të cilat paralajmëronin mundësinë që Vuçiqi të kundërshtonte rezultatin përmes forcës.
Ndërkaq, Radomir Saiçiç, kandidat i Listës Studentore, ka pretenduar se ishte përgatitur një plan për përdorimin e dhunës në rast se rezultati zgjedhor do të ishte i ngushtë. Sipas tij, telefonatat nga persona të lidhur me policinë dhe institucione të tjera ndikuan që presidenti serb të ndryshonte qëndrim.
Çfarë ndodhi në qendër të Beogradit?
Sipas raportimit të The Times, gjatë ditës së zgjedhjeve, grupe burrash të veshur me të zeza u panë duke u drejtuar drejt parkut Pionirski në Beograd, ku prej muajsh ishte vendosur një kamp me çadra nga mbështetësit e Vuçiqit.
Në të njëjtën kohë, forcat e xhandarmërisë u pozicionuan në zonë, disa rrugë u bllokuan dhe në pjesë të caktuara u fik ndriçimi publik.
