Qindra dronë shënjestruan Moskën dhe rajonin përreth saj në ditën e fundit të zgjedhjeve parlamentare në Rusi të dielën, duke i vrarë të paktën dy njerëz dhe duke dëmtuar një rafineri të madhe nafte, sipas autoriteteve ruse.
Kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin, e cilësoi sulmin e të dielës si më të madhin me dronë deri tani ndaj kryeqytetit rus.
Një objekt në rafinerinë e naftës në Moskë, e cila është shënjestruar edhe më parë, gjithashtu u dëmtua.
“Sulmi më i madh me dronë armiku është zmbrapsur”, tha Sobyanin në Telegram. “Ky sulm i paparë ishte planifikuar qartësisht me synimin për t’i penguar zgjedhjet parlamentare. Armiku nuk ia doli”.
Zgjedhjet për Dumën e Shtetit, të parat që nga nisja e luftës së plotë të Rusisë në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, nuk pritet të sjellin ndryshim pasi partia në pushtet, Rusia e Bashkuar, pritet ta ruajë mbizotërimin, në një sistem politik që kritikët thonë se nuk lejon kundërshtimin.
Kremlini me gjasë do ta paraqesë rezultatin e zgjedhjeve si dëshmi të mbështetjes publike për politikat e Putinit dhe për luftën, e cila tani ka hyrë në vitin e pestë dhe nuk ka shenja se do të përfundojë së shpejti.
Autoritetet zgjedhore thonë se tri ditët e votimit kanë vijuar pa ndonjë telash, pavarësisht sulmeve kibernetike të raportuara të shtunën.
Pjesëmarrja ishte mbi 50 për qind deri në orët e para të pasdites sipas orës së Moskës të dielën, raportoi agjencia e lajmeve Interfax, duke cituar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
