Një shërbim jetik amerikan i internetit satelitor vazhdon të funksionojë me një ngadalësi tepër të madhe, duke ndikuar në aftësinë e Ukrainës për të ndaluar sulmet ruse, ka deklaruar presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
“Ne shpresojmë që këto kufizime të hiqen. Mbrojtja e jetëve të njerëzve dhe e infrastrukturës energjetike të Ukrainës përpara dimrit varet drejtpërdrejt nga kjo”, tha ai.
Çështja e kufizimeve të shpejtësisë së sistemit Starshield, një shërbim ushtarak i nivelit të lartë, në pronësi të Elon Muskut i cili i është ofruar Ukrainës nga qeveria amerikane, ka qenë objekt diskutimesh prej disa javësh.
Zelensky tha se u kishte kërkuar zyrtarëve që të “bashkëpunojnë sa më ngushtë të jetë e mundur” me qeverinë amerikane dhe kompaninë e Muskut.
