Një 46-vjeçar me shtetësi të Kosovës ka dalë të martën para Gjykatës Penale në Vevey të Zvicrës, i akuzuar për vrasjen e partneres së tij 38-vjeçare në maj të vitit 2023.
Prokuroria zvicerane e ngarkon atë me akuzën për vrasje të rëndë, duke pretenduar se e sulmoi me disa goditje me thikë, nuk i ofroi ndihmë pasi e la të plagosur rëndë dhe u largua nga banesa bashkë me vajzën e tyre të vogël, shkruan gazeta e njohur zvicerane Blick
Sipas aktakuzës, ngjarja ndodhi mëngjesin e 26 majit 2023 në banesën e viktimës në Vevey. I akuzuari, i cili jetonte në Gjermani dhe kishte një lidhje në distancë me partneren, kishte mbërritur në Zvicër dy ditë më herët.
Prokuroria pretendon se pas një sërë konfliktesh mes çiftit, ai e sulmoi 38-vjeçaren me disa goditje me thikë, duke përdorur një armë të ndaluar që kombinonte një dorezë metalike me teh. Viktima pësoi plagë të rënda në qafë dhe kraharor, të cilat shkaktuan gjakderdhje të brendshme dhe të jashtme, duke i marrë jetën.
Sipas hetimeve, pas sulmit ai nuk thirri ambulancën dhe as nuk u përpoq t’i jepte ndihmën e parë. Përkundrazi, dyshohet se mori telefonin e viktimës, e mbylli banesën dhe u largua me vajzën e tyre të vogël, ndërsa partnerja ishte ende gjallë. Më pas u nis drejt qytetit të Thun-it, ku jeton njëri prej vëllezërve të tij, derisa u ndalua nga policia.
Prokuroria ka ngritur ndaj tij akuzën për vrasje të rëndë, vepër që në të drejtën penale zvicerane zbatohet kur një krim kryhet me egërsi të veçantë, motive të ulëta ose pas një planifikimi të ftohtë. Nëse shpallet fajtor për këtë vepër, ai mund të dënohet deri me burgim të përjetshëm. Si alternativë, aktakuza përfshin edhe veprën penale të vrasjes, e cila parashikon dënim prej të paktën pesë vjetësh burg.
