Ish-presidenti i Barcelonës, Joan Gaspart, ka kritikuar ashpër Lionel Messin, duke kërkuar që ylli argjentinas të kthehet në “Camp Nou” për t’u përshëndetur me tifozët katalunas, pavarësisht se kush është në krye të klubit.
Duke folur në podkastin “Solo Para Culés”, Gaspart dha një mesazh të drejtpërdrejtë për tetë herë fituesin e Topit të Artë, duke theksuar se Barcelona është më e madhe se çdo individ.
“Ai duhet të jetë i kujdesshëm. Barça është më e madhe se ai”, deklaroi Gaspart, duke shtuar se fjalët e tij vijnë nga dashuria dhe respekti që ka për Messin.

Ish-presidenti kujtoi se ishte në krye të Barcelonës kur argjentinasi iu bashkua klubit në moshën 13-vjeçare. Për këtë arsye, ai theksoi se kritikat e tij nuk e vënë në dyshim rëndësinë e Messit në historinë e klubit, por lidhen me mënyrën se si duhet të realizohet një lamtumirë e mundshme në “Camp Nou”.
Një nga çështjet kryesore të deklaratave të Gaspart ishte marrëdhënia e Messit me presidentin aktual të Barcelonës, Joan Laporta.
Sipas tij, prania e Laportës nuk duhet të jetë pengesë që sulmuesi argjentinas të rikthehet në stadium dhe të marrë nderimet që meriton nga tifozët.


