Mediumi shtetëror britanik, BBC, ka publikuar një artikull lidhur me historinë, domethënien dhe karakteristikat kryesore të himneve, me titull Çfarë janë himnet kombëtare dhe pse përdoren?
Ata përmendën disa prej himneve më të njohura si “The Star-Spangled Banner” i Shteteve të Bashkuara, “Deutschlandlied” i Gjermanisë dhe “La Marseillaise” i Francës, fama e së cilave kalon përtej kufijve të tyre.
Psh. në Mbretërinë e Bashkuar, himni zyrtar është “God Save the King”, i cili u interpretua publikisht për herë të parë në vitin 1745. Edhe pse përdoret në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, vendet përbërëse si Uellsi dhe Skocia kanë himne jozyrtare, si “Hen Wlad Fy Nhadau” dhe “Flowers of Scotland”.
Tutje në artikull shkruhet se himnet kombëtare këndohen në shumë raste, përfshirë ngjarje sportive, festa kombëtare, ceremoni shtetërore dhe aktivitete publike. Në sport, ato janë veçanërisht të rëndësishme, pasi luhen para ndeshjeve ndërkombëtare për të përfaqësuar shtetet pjesëmarrëse.
Për sa u përket himneve më të vjetra, Japonia ka himnin me tekstin më të lashtë, pasi fjalët e “Kimigayo” vijnë nga një poezi e shekullit të nëntë. Ndërkohë, himni i Holandës “Wilhelmus van Nassouee” konsiderohet ndër më të vjetrit për nga melodia, teksa “Marcha Real” e Spanjës është ndër himnet më të vjetra të përdorura vazhdimisht në ceremoni zyrtare.
