Kombëtarja e Kosovës do të përballet sonte me Sllovakinë në gjysmëfinalen e play-off-it për Kupën e Botës 2026, në një ndeshje që pritet të zhvillohet në një atmosferë elektrizuese në Bratislavë.
Interesimi i madh i tifozëve “Dardanë” ka bërë që disa mijëra prej tyre të udhëtojnë drejt kryeqytetit sllovak për të mbështetur ekipin, duke krijuar një prani të fuqishme në tribunat e stadiumit “Tehelné pole”.
Për shkak të numrit të madh të tifozëve dhe rëndësisë së takimit, autoritetet sllovake e kanë cilësuar ndeshjen si me rrezik të lartë. Policia ka ndërmarrë masa të shtuara sigurie në të gjithë qytetin, veçanërisht në zonën përreth stadiumit.
Në një njoftim zyrtar, policia ka bërë të ditur se prioritet do të jetë ruajtja e rendit dhe sigurisë publike, si dhe mbarëvajtja e trafikut. Tifozët janë ftuar të respektojnë udhëzimet e autoriteteve dhe të shmangin çdo sjellje të papërshtatshme para, gjatë dhe pas ndeshjes.
