Mesfushori i Spanjës, Dani Olmo, ka folur për incidentin e ndodhur pas finales ndaj Argjentinës, ku u përfshi në një përplasje me ndihmësin e trajnerit argjentinas, Roberto Ayala.
Pamjet e publikuara më vonë në rrjetet sociale treguan Ayalan duke u përplasur fillimisht me Eric Garcian dhe më pas duke e prekur Olmon në fytyrë. Futbollisti spanjoll nuk reagoi fizikisht, por zgjodhi të ruante qetësinë dhe të debatonte vetëm me fjalë.
Olmo tha se reagimi i parë ishte emocional, por vendosi të mos përshkallëzonte situatën për shkak të përgjegjësisë që ka si sportist.
“Kur dikush të vendos duart në fytyrë në atë mënyrë, instinkti i parë është të reagosh. Jam njeri dhe emocionet në ato momente janë të forta. Por u ndala, sepse nuk doja të jepja një shembull të keq për fëmijët dhe tifozët që na shikojnë”, deklaroi Olmo.
