Pas fitores spektakolare të Kosovës ndaj Sllovakisë me rezultatin 4:3, ka reaguar Gramoz Vokrri, i cili e cilësoi këtë triumf si një moment shumë të rëndësishëm për rrugëtimin drejt Kampionatit Botëror.
Vokrri u shpreh se kjo fitore ka rritur ndjeshëm besimin brenda ekipit dhe te tifozët, duke theksuar karakterin që tregoi përfaqësuesja në një ndeshje tejet emocionuese.
“Sigurisht që kjo fitore për ne është një hap shumë i madh drejt Botërorit. Ndeshja ka qenë shumë emocionuese dhe rezultati na ka bërë krenarë të gjithëve. Ky ekip, në krye me selektorin Franco Foda, ka dëshmuar se di t’i tejkalojë vështirësitë dhe të luajë me karakter. Tani mbetet që të martën të vulosim biletën për në Amerikë, në një ndeshje të vështirë që na pret. Por me këta djem që i ka Kosova, asgjë nuk është e paarritshme”, tha Vokrri për Klanin.
Gramoz Vokrri, djali i legjendës së futbollit kosovar Fadil Vokrri, kujtoi edhe rëndësinë historike të rrugëtimit të Kosovës në futbollin ndërkombëtar. Ai theksoi se arritjet aktuale janë vazhdimësi e një pune të gjatë, që kulmoi në vitin 2016 me anëtarësimin e Kosovës në FIFA dhe UEFA, duke i hapur rrugë pjesëmarrjes në garat ndërkombëtare.
Fitorja ndaj Sllovakisë e ka afruar Kosovën shumë pranë një arritjeje historike, ndërsa tashmë vëmendja është zhvendosur te sfida e radhës.
Kosova do të përballet me Turqinë në finalen e play-off-it, ku do të vendoset përfundimisht se cila përfaqësuese do të sigurojë një vend në Kampionatin Botëror.
Kush ishte Fadil Vokrri?
