Federata e Futbollit e Kosovës ka bërë të ditur se janë duke monitoruar në mënyrë të vazhdueshme të gjitha ndeshjet e kampionatit, duke theksuar përkushtimin maksimal për ruajtjen e integritetit të garave.
Sipas njoftimit, përveç strukturave të brendshme, edhe një organizatë e kontraktuar nga UEFA realizon monitorim dhe analiza të specializuara për çështje që lidhen me integritetin e ndeshjeve.
FFK bëri të ditur se brenda selisë së tyre funksionon Komisioni i Integritetit të Garave, i cili angazhon përfaqësues në çdo ndeshje me qëllim mbikëqyrjen dhe raportimin e çdo situate të dyshimtë që mund të cenojë garën.
Federata thekson se nuk toleron asnjë formë të manipulimit apo ndikimit të paligjshëm në rezultatet sportive.
Në reagim ndaj deklaratave publike nga zyrtarë klubesh, FFK bëri të ditur se do t’i trajtojë ato me seriozitet dhe në përputhje me rregulloret në fuqi.
Po ashtu, në hetim do të përfshihen edhe Policia e Kosovës dhe institucionet përkatëse në kuadër të Këshillit Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive, të cilat tashmë janë të njoftuara.
