Edin Dzeko po kalon një periudhë të vështirë te Schalke 04, ku nuk po arrin të ketë hapësirën e dëshiruar në skuadrën e trajnerit Miron Muslic.
Sulmuesi boshnjak 40-vjeçar ka një rol dytësor në ekip, ndërsa pakënaqësia e tij me statusin aktual po bëhet gjithnjë e më e dukshme. Situata e tij ka tërhequr vëmendjen edhe të mediave gjermane, të cilat kanë nisur të diskutojnë mundësinë e një ndarjeje të parakohshme mes palëve.
Dzeko e vazhdoi kontratën me Schalken edhe për një sezon, pasi kishte dhënë kontribut të rëndësishëm në rikthimin e klubit në Bundesliga. Megjithatë, aventura në elitën e futbollit gjerman nuk po shkon sipas pritshmërive të sulmuesit.
Deri më tani, ai ka regjistruar vetëm 206 minuta lojë dhe ende nuk ka arritur të shënojë gol. Pakënaqësia e tij u vu re edhe në ndeshjen e fundit ndaj Stuttgartit, e cila përfundoi me rezultat 0:0. Muslic e aktivizoi vetëm në minutën e 86-të, ndërsa pas përfundimit të takimit Dzeko u drejtua menjëherë për në dhomat e zhveshjes.
Pas ndeshjes, trajneri i Schalkes e arsyetoi vendimin e tij, duke theksuar se emri dhe reputacioni i lojtarëve nuk ndikojnë në zgjedhjet e tij.
