Tifozët irlandezë që do të udhëtojnë në Prishtinë për përballjen me Kosovën janë këshilluar të planifikojnë me kujdes lëvizjet e tyre dhe të respektojnë rregullat e sigurisë gjatë qëndrimit në kryeqytetin kosovar.
Federata e Futbollit të Irlandës, ka publikuar më 22 shtator një udhëzues të detajuar për mbështetësit e saj, me informacione rreth hyrjes në stadium, transportit, sigurisë dhe dokumenteve që duhet të kenë me vete.
Ndeshja Kosovë–Irlandë do të zhvillohet të enjten në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të edicionit të ri të Ligës së Kombeve të UEFA-s.
FAI u ka bërë thirrje tifozëve që të mbërrijnë herët në stadium, duke marrë parasysh kontrollet e sigurisë dhe procedurat e hyrjes. Stadiumi “Fadil Vokrri”, i cili ndodhet në qendër të Prishtinës, ka kapacitet për rreth 13 mijë spektatorë.
Tifozët duhet t’i kenë biletat në format digjital ose të printuar. Para hyrjes në stadium mund t’u kërkohet të identifikohen nga Policia e Kosovës ose nga sigurimi i stadiumit. FAI u ka rekomanduar gjithashtu që në telefon të kenë një fotografi ose skanim të pasaportës.
Në stadium nuk do të ketë hapësirë për ruajtjen e çantave, ndaj tifozëve u është kërkuar të marrin me vete vetëm çanta të vogla dhe të shmangin sendet që mund të pengojnë procesin e kontrollit.
Për udhëtimin drejt Prishtinës, FAI ka veçuar Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” si opsionin kryesor. Si alternativë është përmendur Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit, megjithëse lidhjet e transportit prej tij drejt Prishtinës janë më të kufizuara.
