Destinacioni i finales së Kupës së Botës 2030 mund të jetë zbuluar para kohe, ndonëse FIFA ende nuk ka marrë një vendim zyrtar për stadiumin që do të presë ndeshjen më të rëndësishme të turneut.
Presidenti i Federatës Mbretërore Marokene të Futbollit, Fouzi Lekjaa, ka deklaruar me bindje se finalja do të zhvillohet në “Grand Stade Hassan II”, stadiumi i ri që po ndërtohet në Benslimane, pranë Casablancas.
Arena spektakolare pritet të ketë një kapacitet prej afro 115 mijë spektatorësh, çka do ta rendiste mes stadiumeve më të mëdha të futbollit në botë.
Duke folur në një aktivitet të organizuar në Bouznika, Lekjaa deklaroi se Benslimane do të ketë nderin të presë finalen e Botërorit.
“Ajo që duhet të dini është se provinca e Benslimanes do të ketë nderin të organizojë finalen e Kupës së Botës 2030”, tha ai.
Madje, Lekjaa shkoi edhe më tej duke shprehur dëshirën për një finale mes Marokut dhe Francës.
“Dhe, dashtë Zoti, të kemi një finale mes Marokut dhe Francës, në mënyrë që të marrim hakun tonë”, shtoi ai.
FIFA ende nuk ka vendosur
Deklaratat e tij kanë tërhequr vëmendje të madhe, pasi FIFA ende nuk ka konfirmuar zyrtarisht stadiumin ku do të zhvillohet finalja.
Maroku do ta organizojë Kupën e Botës 2030 së bashku me Spanjën dhe Portugalinë.
Argjentina, Paraguai dhe Uruguai do të presin gjithashtu nga një ndeshje në fillim të turneut, në kuadër të shënimit të 100-vjetorit të Kupës së parë të Botës, e zhvilluar në Uruguai më 1930.
Pikërisht për këtë arsye, gara për organizimin e finales pritet të jetë e fortë, me disa prej stadiumeve më spektakolare në botë që konkurrojnë për këtë privilegj.
Maroku mbështetet te “Grand Stade Hassan II”
Stadiumi Hassan II është në qendër të kandidaturës së Marokut.


