Federata e Futbollit e Kosovës ka shprehur mirënjohje ndaj të gjithë atyre që besojnë dhe e mbështesin pandërprerë Kombëtaren.
Përkrahja e jashtëzakonshme nga qytetarët, si në vend ashtu edhe në diasporë, përfshirë edhe numrin e madh të atyre që udhëtuan drejt Sllovakisë, sipas FFK-së, është dëshmi e lidhjes së fortë dhe të përhershme me fanellën dardane.
Duke qenë se interesi për ndeshjen finale Kosovë – Turqi tejkalon kapacitetin e stadiumit, bëhet e ditur se FFK, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, do të organizojë aktivitete të veçanta në kryeqytet, ku përmes ekraneve gjigante qytetarët do të kenë mundësinë ta ndjekin këtë përballje historike.
“Qëllimi është krijimi i një atmosfere gjithëpërfshirëse, ku secili tifoz të ndjejë emocionin dhe krenarinë e përkrahjes ndaj Kombëtares së Kosovës. Një falënderim i veçantë shkon për të gjithë ata që siguruan biletat për këtë ndeshje, edhe në një fazë kur ende nuk ishte e konfirmuar nëse do të bëhej fjalë për një finale apo një ndeshje miqësore, një dëshmi kjo e besimit dhe dashurisë së madhe ndaj ekipit dardan”, thuhet në njoftimin zyrtar të Federatës.
