Karateistët e rinj të Kosovës kanë shkëlqyer në Kampionatin Ballkanik për kadetë, juniorë dhe grupmoshën U21, i cili u mbajt në Stamboll të Turqisë, duke e përmbyllur këtë ngjarje me gjithsej shtatë medalje në garat individuale dhe tri të tjera në ato ekipore.
Suksesin më të madh në garat individuale e arriti Emira Maqedonci, e cila u stolisi me medaljen e artë. Performancë të shkëlqyer patën edhe Suela Arfi, Qëndresa Ibrahimi dhe Prijam Gashi, të cilët fituan medalje të argjendta. Ndërkaq, me medalje të bronzta u kthyen Alea Kelmendi, Krenar Ismajli dhe Amar Daku.
Kosova tregoi dominim edhe në konkurrencën ekipore. Ekipet e kadetëve, si në konkurrencën e djemve ashtu edhe të vajzave, rrëmbyen medalje të bronzta, ndërsa të bronztën e fitoi edhe ekipi i juniorëve te djemtë.
Për këtë arritje kanë reaguar nga Federata e Karatesë e Kosovës, duke e vlerësuar si një rezultat mjaft të rëndësishëm që pasqyron punën dhe përkushtimin e sportistëve tanë.
“Një sukses i jashtëzakonshëm që dëshmon talentin, punën dhe potencialin e sportistëve tanë. Urime sportistëve, trajnerëve dhe gjithë ekipit. Vazhdojmë krenarë, me zemër e shpirt për Kosovën”, thuhet në reagimin e FKK.