Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, është shumë pranë vazhdimit të aventurës së tij me Napolin, pasi pritet të rinovojë kontratën edhe për disa sezone të tjera, duke përfituar një rritje të ndjeshme të pagës.
Gazetari italian Nicolo Schira raporton se qendërmbrojtësi do të firmosë një marrëveshje të re me klubin napolitan, e cila do t’i sigurojë atij rreth 3.8 milionë euro në vit. Kjo shifër përfaqëson kontratën më fitimprurëse të karrierës së Rrahmanit, pasi më parë, sipas të dhënave, ai përfitonte rreth 3.2 milionë euro në sezon.
Sipas Schira, 30-vjeçari ka vendosur të refuzojë oferta të majme nga Arabia Saudite, Turqia dhe Liga Premier, duke zgjedhur të vazhdojë karrierën në Napoli, ku është shndërruar në një nga shtyllat kryesore të mbrojtjes.
