Florent Muslija ka reaguar pas raportimeve se ai mund të ishte njëri prej lojtarëve që do të ndiqnin shembullin e Amir Rrahmanit dhe do të bojkotonin Kombëtaren e Kosovës.
Kapiteni Amir Rrahmani ditë më parë njoftoi se nuk do të luajë më për “Dardanët”, duke shprehur pakënaqësi ndaj drejtuesve të Federatës së Futbollit të Kosovës. Pas këtij zhvillimi, u raportua se edhe disa futbollistë të tjerë, të udhëhequr nga Edon Zhegrova, mund të merrnin të njëjtin vendim.
Në mesin e emrave të përmendur ishte edhe Florent Muslija, së bashku me Arijanet Muricin, Vedat Muriqin dhe Milot Rashicën.

Megjithatë, mesfushori i Freiburgut, i cili aktualisht është i lënduar, i ka mohuar kategorikisht këto raportime. Muslija ka bërë të ditur se, nëse do të ishte i gatshëm fizikisht, me kënaqësi do t'i bashkohej Kosovës për ndeshjet e shtatorit.
“Faleminderit që më kontaktuat. Më vjen keq që emri im është përfolur për bojkot ose diçka të tillë. Unë jam i lënduar, fatkeqësisht, por sikur të isha shëndoshë e mirë, si gjithmonë me kënaqësi do të vija të luaja për vendin tim. Këto janë shpifje”, ka thënë Muslija për “Gazetën Olle”.
28-vjeçari ka theksuar se për të nuk ka dilema kur bëhet fjalë për përfaqësimin e Kosovës, duke nënvizuar se veshja e fanellës së “Dardanëve” përbën krenarinë e tij më të madhe.



