Kombëtarja e Shqipërisë ka marrë një fitore të pastër dhe plotësisht të merituar ndaj San Marinos në udhëtim, duke triumfuar me rezultat komod 0-3 në një përballje të dominuar tërësisht nga kuqezinjtë.
Djelmoshat kuqezi vendosën ritmin e lojës që nga minutat e para, duke mos i lënë hapësira kundërshtarit dhe duke e zhbllokuar sfidën në mesin e pjesës së parë.
Serinë e golave e hapi Anis Mehmeti në minutën e 27-të, i cili tundi rrjetën pas një asistimi të saktë nga Rey Manaj
Presioni i kuqezinjve nuk u ndal me kaq, pasi vetëm shtatë minuta më vonë, në minutën e 34-të, Myrto Uzuni u tregua i vëmendshëm para porte duke dyfishuar shifrat në 0-2.
Pjesa e parë u mbyll me qetësi për Shqipërinë, ndonëse u regjistruan edhe ndërhyrje të ashpra ku me kartonë u ndëshkuan Kristjan Asllani dhe Nicola Nanni.
Në pjesën e dytë, stafi teknik nisi freskimin e skuadrës me inkuadrimin e Marash Kumbullës në vend të Berat Gjimshitit në pushim të ndeshjes.
Për vulosjen përfundimtare të rezultatit u përkujdes vetë Rey Manaj, sulmuesi kuqezi, pasi dhuroi asist në pjesën e parë, gjeti vetë rrugën drejt rrjetës në minutën e 65-të për të çuar rezultatin në 0-3.
Pas golit të tretë, hapësirë morën edhe lojtarët nga stoli, me inkuadrimin e Arbër Hoxhës, Cristian Shpendit, Kreshnik Qefalijës dhe Luis Hasës, teksa Shqipëria menaxhoi me lehtësi epërsinë deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit.