Kriza brenda FIFA-s po thellohet gjithnjë e më shumë, pasi drejtori operativ i organizatës, Kevin Lamour, ka bërë thirrje publike për largimin e presidentit Gianni Infantino pas polemikave të shkaktuara nga propozimi për shitjen e aksioneve të Kupës së Botës.
Situata është përshkallëzuar ndjeshëm ditët e fundit, me UEFA-n që ka paralajmëruar bojkotimin e Kupës së Botës nëse FIFA vazhdon me planin për t’u shitur investitorëve privatë një pjesë e të drejtave komerciale të turneut.
Kundër këtij projekti janë rreshtuar edhe Konfederata Aziatike e Futbollit (AFC) dhe Konfederata e Futbollit të Amerikës së Veriut dhe Qendrore (CONCACAF).
Tashmë kundërshtimi ka arritur edhe brenda vetë FIFA-s. Këshilltari i lartë i Infantinos, Carlos Cordeiro, dha dorëheqjen gjatë ditës së sotme.
Ndërkohë, Kevin Lamour ka kërkuar hapur një ndryshim në drejtimin e FIFA-s, duke lënë të kuptohet se Infantino duhet të largohet nga posti i presidentit.
“Ky është projekti i vetëm një personi,” deklaroi Lamour për “Associated Press”.
“Jo vetëm që ky projekt nuk duhet të vazhdojë, por ka ardhur koha që drejtuesit politikë të futbollit t’i bëjnë vetes pyetjet e duhura dhe të marrin vendimet e duhura”, shtoi ai.
Lamour, i cili mban postin e drejtorit operativ të FIFA-s që nga viti 2024, kritikoi ashpër mënyrën se si Infantino e menaxhoi këtë iniciativë.
