Dhjetëra mijëra qytetarë dolën të shtunën në rrugët e Lisbonës, Portos, Koimbrës dhe qyteteve të tjera të Portugalisë, për të kërkuar banesa me çmime të përballueshme dhe masa konkrete për të frenuar rritjen e kostos së jetesës.
Në Lisbonë, mijëra protestues u mblodhën në qendër të qytetit, ku ngritën tenda dhe mbanin pankarta me thirrje për miratimin e ligjeve që do të ndalonin fondet e investimeve imobiliare, të cilat i akuzojnë për nxitjen e spekulimeve dhe rritjen e çmimeve të pronave, raportoi agjencia kineze e lajmeve Xinhua
Një pjesë e pankartave lidhej edhe me një operacion policor të zhvilluar në orët e para të së enjtes në Porto, gjatë të cilit policia ndërhyri për të shpërndarë protestuesit që kundërshtonin krizën e banimit.
Sipas raportimeve të mediave lokale, 37 protestues u lënduan gjatë ndërhyrjes, dy prej tyre me lëndime të rënda.
