Sezoni i Real Madridit po konsiderohet zhgënjyes, me skuadrën që pritet ta mbyllë për të dytin vit radhazi pa një trofe madhor.
Situata në stol ka reflektuar këtë pasiguri, Xabi Alonso nuk arriti të vendosë autoritetin e tij para largimit, ndërsa trajneri aktual Alvaro Arbeloa po përballet me humbje të mbështetjes brenda dhomave të zhveshjes.
Fillimisht, Arbeloa kishte krijuar një raport pozitiv me skuadrën, por javët e fundit situata është përkeqësuar ndjeshëm. Përplasjet me disa futbollistë kanë rritur tensionet në Valdebebas dhe sipas raportimeve të El Mundo, atmosfera tashmë është në pikën e vlimit.
Trajneri thuhet se ka pasur konflikte me kapitenin Dani Carvajal, si dhe me Raul Asencio, Alvaro Carreras dhe Dani Ceballos, ky i fundit madje është lënë jashtë përzgjedhjes së skuadrës për momentin.
E përbashkëta e tyre është fakti se janë lojtarë të dalë nga akademia e klubit, të cilët ndihen të anashkaluar nga trajneri.
Sipas të njëjtave burime, këta futbollistë besojnë se Arbeloa ka favorizuar yjet kryesorë të ekipit dhe talentet e reja që janë promovuar këtë sezon, duke mos treguar të njëjtin vlerësim për lojtarët si Carvajal apo Ceballos.
