Valon Berisha ka rrëfyer emocionet e tij pas vendimit për t’i dhënë fund aventurës me Kombëtaren e Kosovës. Në një intervistë për “Klan Kosovën”, ish-mesfushori i “Dardanëve” foli për rrugëtimin e tij, krenarinë për fanellën e Kosovës dhe momentet më të veçanta të karrierës ndërkombëtare.
Berisha, i cili u rrit në Norvegji, theksoi se zgjedhja për të përfaqësuar Kosovën ishte një vendim i marrë me zemër.
“E kam dhënë shpirtin për Kombëtaren tem. Për vendin tem. Kam pasur privilegj dhe krenari për me lu. Shumë emocione. Njerëzit e kanë parë që Kosova është e shenjtë. Duhesh me dhënë maksimumin kur luan për vendin tënd, me përfaqësu vendin tënd, jo vetëm vendin, por familjen, gjakun.”
Ai kujtoi edhe momentin kur mori ftesën për të luajtur për Kosovën, duke e cilësuar ndeshjen ndaj Finlandës si një nga përjetimet që nuk do ta harrojë kurrë.
“Ka qenë një vendim me zemër. Jam rrit në Norvegji dhe e kam pasur ëndërr me pas këtë mundësi. M’u ka dhënë kjo mundësi prej Zotit dhe kur ka ardhur ftesa, mezi kam pritur me pranu. Ka qenë ndjenjë e papërshkrueshme ajo ndeshja ndaj Finlandës. S’do ta harroj kurrë për gjithë jetën.”




