Një deklaratë e presidentit amerikan Donald Trump, ku thotë me zë dhe me figurë se është gjetur një ilaç që ngjall të vdekurit, u përhap me shpejtësi në Internet. “Kemi marrë njerëz që ishin të vdekur”, tha Trump. “Kishim një person që kishte marrë ritin e fundit fetar, kishte ikur, fëmijët po qanin e gjithçka dhe nisën t’i jepnin këtë ilaç. Dhe personi u përmirësua. Funksionon”, thotë Trump nga tavolina e tij në zyrën ovale.
Deklarata u bë të hënën e kaluar, më 11 maj, gjatë një bashkëbisedimi rutinë me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë.
Gjatë të dy mandateve të Trumpit në detyrë, amerikanët janë mësuar me një lumë të pandërprerë deklaratash të pavërteta dhe ekzagjerimesh, të pazakonta edhe për standardet tashmë të ulëta të politikës moderne. Përfaqësuesit e presidentit shpesh përpiqen t’i justifikojnë këto deklarata në mënyra të çuditshme, ndoshta “i vdekur” nuk do të thoshte realisht “i vdekur”, por ishte thjesht një mënyrë figurative e Trumpit për të përshkruar dikë shumë të sëmurë. Në fund, shtresat e shumta të pasaktësive krijojnë një mjegull të padepërtueshme dhe që shkakton kaos informativ.
Sa i përket këtij ilaçi të supozuar mrekullibërës, nëse sheh videon e plotë, mund të kuptohet qartë që deklarata e Trumpit është nxjerr jashtë kontekstit.
