Dy pacientë kanë humbur jetën brenda më pak se një muaji në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), dhe familjarët pretendojnë se shkaku nuk ishte vetëm sëmundja, por infeksionet që i morën pikërisht aty ku kërkuan shërim.
Në njërin prej rasteve, pacienti me kancer ishte në gjendje stabile deri në momentin kur, sipas familjarëve, u infektua me një bakter brenda QKUK-së.
“Kjo më pas i shkaktoi sepsë”, thotë shkurtimisht për Radion Evropa e Lirë një i afërm që kërkon të mbetet anonim.
Përkundër përpjekjeve, REL-i nuk arriti të merrte një konfirmim nga mjekët, sepse, sipas tyre, infeksionet brendaspitalore si shkak vështirë se dokumentohen në mënyrë të saktë.
Këto, megjithatë, nuk janë raste të izoluara. Në hapësirat e QKUK-së, rreziku i padukshëm i infeksioneve brendaspitalore kanos vazhdimisht pacientët.
Radio Evropa e Lirë ka siguruar të dhëna shqetësuese nga dy klinika: në Qendrën e Mjekimit Intensiv, infeksionet brendaspitalore kanë prekur mbi 70% të pacientëve gjatë disa muajve të këtij viti, ndërsa në Neonatologji, ku trajtohen foshnjat më të brishta, përqindja ka kaluar 20.
Drejtori i Klinikës së Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv, Gazmend Spahiu, e pranon hapur problemin: “Njësia Intensive ka përqindjen më të lartë të infeksioneve, për shkak të gjendjes së rëndë të pacientëve që shtrohen aty”.
Ai thotë se janë marrë disa masa të reja teknike për zvogëlimin e infeksioneve të rrugëve respiratore, si: pajisje të mbyllura për aspirim, tubusa me aspirim subglotik, higjienë më rigoroze, por pranon se mungesa e infermierëve e dobëson çdo përpjekje.Një dhomë septike-infeksion në Klinikën Torakale në QKUK.
Mendim të ngjashëm ndan edhe drejtori i Klinikës Torakale, Nazmi Kolgeci.
“Ne, si personel, kemi kujdes dhe marrim masa preventive kundër infeksioneve. Ato nuk i bartin as pacientët, por shoqëruesit e tyre”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Prania e shoqëruesve është shndërruar në pjesë të kulturës së QKUK-së, pasi mungesa kronike e stafit mjekësor, e sidomos infermierëve, e ka bërë të pamundur që shumë shërbime bazike të ofrohen nga vetë spitali.
Për këtë arsye, familjarët shpesh bëjnë punët që duhet t’i bëjnë infermierët – qoftë të kujdesen për higjienën e pacientit, t’i japin ushqim apo të transportojnë analiza.
Për pasojë, dhomat dhe korridoret e spitalit janë të mbushura me familjarë që hyjnë e dalin pa kontroll higjienik, duke e kthyer institucionin në një hapësirë të pambrojtur nga infeksionet.
Klinika Torakale është ndër të paktat në QKUK që ka një dhomë të posaçme izolimi.
Në derën e dhomës numër 234 shkruan: “Kujdes! Dhomë Septike – Infeksion”. Brenda saj, paraditen e 4 dhjetorit, ishin tre pacientë të sëmurë rëndë, të ndarë nga të tjerët, me mjekë e infermierë që hynin vetëm me pajisje mbrojtëse.
Në dhomën pranë, atë ditë, ishte edhe G. Paçarizi. I shtruar për një sëmundje të mushkërive, ai i tha REL-it se është prekur edhe nga një virus që mjekët nuk e kanë identifikuar ende.
Në dhomën e tij, familjarët lëviznin lirshëm – pa doreza, pa maska dhe pa ndonjë kontroll.
Por, këto shkelje të supozuara të protokollit nuk i bënin vetëm ata.
REL-i vëzhgoi edhe mjekë e infermierë që dilnin jashtë klinikave me uniforma spitalore, ecnin nëpër oborr, shkonin në kuzhinën disa metra larg dhe më pas ktheheshin në hapësirat e trajtimit, pa u ndërruar.
