Kalo te përmbajtja
Demos
Keni lajm?
  • Çka ka 3?
  • Lajme
  • Ndërkombëtare
  • Sport
  • Video
  • Magazine
  • Teknologji
  • Stil
  • Këndvështrime
Menyja
  • Ballina
  • Çka ka 3?
  • Lajme
  • Ndërkombëtare
  • Sport
  • Video
  • Magazine
  • Teknologji
  • Stil
  • Këndvështrime
Pamja
Demos

Gazeta Demos ngadalë por sigurt, po bëhet burim i besueshëm i informacionit, i hapur ndaj opinionit publik, duke i trajtuar të gjithë të barabartë. Gazeta Demos është shenjë identifikuese e fjalës së lirë, gjithnjë në frymën e demokracisë prej nga buron edhe emri i saj.

Rubrikat

VideoLajmeNdërkombëtareSportMagazineTeknologjiStilKëndvështrime

Demos

Rreth neshPolitika editorialeKontaktPrivatësiaKeni lajm?
Gazeta Demos SH.P.KRr. “Uran Ajeti”, 68, Prishtinëinfo@gazetademos.commarketing@gazetademos.comTel: +383 48 579 555
© 2026 Demos. Të gjitha të drejtat e rezervuara. v 1.0.2
Stil

NDËRMARRJA E PËRBASHKËT KRIMINALE (JCE):

GD
Gazeta Demos2 nëntor 2026 në 18:24
NDËRMARRJA E PËRBASHKËT KRIMINALE (JCE):

Zhvillimi i jurisprudences dhe analizë krahasuese e Antonio Cassese, Kai Ambos dhe Christoph Barthe

Prof. Asoc. Dr. Orhan M. Çeku

Hyrje

Debati mbi ndërmarrjen e përbashkët kriminale (në gjuhën angelze: Joint Criminal Enterprise – JCE) ka marrë një dimension të ri në kontekstin e drejtësisë penale ndërkombëtare, veçanërisht për shkak të zhvillimeve gjyqësore në Hagë që lidhen me përgjegjësinë penale të katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (Hashim Thaqi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi). Përtej dimensionit juridik, ky proces ka nxitur diskutime të thella mbi kufijtë e përgjegjësisë penale individuale, raportin ndërmjet qëllimeve politike e ushtarake dhe qëllimit të përbashkët kriminal, si dhe mbi rrezikun e shtrirjes së përgjegjësisë përtej veprimeve dhe fajësisë së provuar të individit. Pikërisht ky aktualitet përbën shtysën kryesore për hartimin e këtij artikulli, i cili, përmes analizës së mendimit juridik të Antonio Cassese, Kai Ambos dhe Christoph Barthe, synon të shqyrtojë në mënyrë kritike themelet teorike, zhvillimin jurisprudencial dhe kufijtë e zbatimit të doktrinës JCE. Në thelb, studimi ngre një pyetje themelore për legjitimitetin e drejtësisë penale ndërkombëtare: deri ku mund të shtrihet përgjegjësia për krimet e kryera në kuadër të një veprimtarie kolektive, pa cenuar parimin se përgjegjësia penale është dhe duhet të mbetet individuale?

Përzgjedhja e Antonio Cassese, Kai Ambos dhe Christoph Barthe si autorë referues të këtij studimi nuk është e rastësishme, por mbështetet në rëndësinë e kontributeve të tyre shkencore dhe në qasjet e ndryshme që përfaqësojnë në interpretimin e doktrinës së ndërmarrjes së përbashkët kriminale. Antonio Cassese, si një nga figurat më me ndikim në zhvillimin e së drejtës penale ndërkombëtare, ofron një perspektivë që njeh domosdoshmërinë e kësaj doktrine, por njëkohësisht kërkon kufizimin e zbatimit të saj për të shmangur zgjerimin e pajustifikuar të përgjegjësisë penale. Kai Ambos, përmes një qasjeje kritike dhe dogmatike, vë në qendër parimin e fajësisë individuale, duke problematizuar kufijtë e atribuimit të përgjegjësisë për veprimet e kryera në kuadër të një qëllimi të përbashkët. Rëndësia e përfshirjes së Ambos në këtë analizë bëhet edhe më e veçantë në kontekstin e caktimit të tij si anëtar i Panelit të Apelit në çështjen gjyqësore ndaj katër ish-udhëheqësve të UÇK-së, duke krijuar një ndërlidhje të drejtpërdrejtë ndërmjet kontributit të tij doktrinar dhe shqyrtimit gjyqësor të kësaj çështjeje. Ndërkaq, Christoph Barthe paraqet një interes të veçantë për këtë studim, jo vetëm për shkak të monografisë së tij kushtuar origjinës, zhvillimit dhe qëndrueshmërisë juridike të JCE-së, por edhe për faktin se është pjesë e trupit gjykues në shkallë të pare në procesin ndaj katër ish-udhëheqësve të UÇK-së në Hagë. Kjo ndërthurje e mendimit shkencor me praktikën gjyqësore e bën analizën e kontributit të tij veçanërisht relevante, pa paragjykuar qëndrimet e tij në vendimmarrjen gjyqësore. Në këtë mënyrë, shqyrtimi krahasues i tri qasjeve synon të krijojë një bazë më të gjerë teorike dhe kritike për të vlerësuar nëse interpretimi dhe zbatimi i JCE-së mbeten brenda kufijve të parimit të ligjshmërisë dhe përgjegjësisë penale individuale, apo rrezikojnë të shndërrohen në një mekanizëm të zgjeruar të atribuimit të fajësisë.

 

1. Origjina dhe zhvillimi i doktrinës së JCE

 

Ndërmarrja e përbashkët kriminale (JCE) përbën një nga doktrinat më të rëndësishme, por edhe më të debatueshme, të përgjegjësisë penale individuale në të drejtën penale ndërkombëtare. Ajo është zhvilluar kryesisht në jurisprudencën e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY), me qëllim përcaktimin e përgjegjësisë së individëve që marrin pjesë në realizimin e një qëllimi të përbashkët kriminal, edhe kur nuk i kryejnë personalisht të gjitha veprimet materiale që përbëjnë krimet.

Rëndësia e kësaj doktrine lidhet me karakterin kolektiv dhe të organizuar të shumë krimeve ndërkombëtare. Gjenocidi, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës shpesh kryhen përmes strukturave politike, ushtarake ose administrative, në të cilat vendimmarrja, planifikimi dhe ekzekutimi shpërndahen ndërmjet shumë individëve. Megjithatë, përgjegjësia penale mbetet individuale dhe nuk mund të mbështetet vetëm në përkatësinë ndaj një organizate, në pozitën hierarkike apo në lidhjen politike me persona të tjerë. Pikërisht këtu lind problemi themelor juridik: si mund të përcaktohet përgjegjësia penale individuale për krime që burojnë nga një veprimtari kolektive, pa e shndërruar këtë përgjegjësi në fajësi për shkak të asociimit?

Në trajtimin e kësaj çështjeje, kontributet e Antonio Cassese dhe Kai Ambos janë veçanërisht të rëndësishme. Cassese e trajton JCE-në në kontekstin e zhvillimit të përgjegjësisë për krimet ndërkombëtare, ndërsa Ambos i kushton vëmendje të veçantë kufijve dogmatikë të atribuimit të përgjegjësisë, parimit të fajësisë dhe dallimit ndërmjet pjesëmarrjes në një plan kriminal dhe përgjegjësisë për veprimet e personave të tjerë.

Doktrina JCE mori formën e saj bashkëkohore në aktgjykimin e Dhomës së Apelit të ICTY-së në çështjen Prosecutor v. Duško Tadić, të 15 korrikut 1999. Tribunali e zhvilloi këtë formë përgjegjësie duke interpretuar nenin 7(1) të Statutit të tij dhe duke shqyrtuar praktikën e mëparshme të së drejtës penale ndërkombëtare, veçanërisht jurisprudencën e pas Luftës së Dytë Botërore. Në këtë aktgjykim u identifikuan tri kategori të ndërmarrjes së përbashkët kriminale, të cilat dallojnë kryesisht për nga elementi subjektiv i përgjegjësisë (mens rea).

Tabela 1. Tri format e ndërmarrjes së përbashkët kriminale

 

Kategoria

Përmbajtja juridike

Elementi subjektiv

JCE I – Forma themelore

Disa persona marrin pjesë në një qëllim të përbashkët që përfshin kryerjen e krimeve.

Synimi i përbashkët për realizimin e krimit.

JCE II – Forma sistemike

Pjesëmarrja në një sistem të organizuar keqtrajtimi, si në rastin e kampeve të ndalimit.

Njohja e sistemit dhe synimi për të kontribuar në qëllimin e tij kriminal.

JCE III – Forma e zgjeruar

Përgjegjësi për një krim jashtë qëllimit të përbashkët, kur ai ishte pasojë e natyrshme dhe e parashikueshme e realizimit të tij.

Vetëdija për rrezikun e kryerjes së krimit shtesë dhe pranimi i atij rreziku përmes vazhdimit të pjesëmarrjes.

 

Elementet objektive të JCE-së përfshijnë ekzistencën e një shumësie personash, një qëllim të përbashkët që përfshin kryerjen e një krimi brenda juridiksionit të tribunalit dhe pjesëmarrjen e të akuzuarit në realizimin e këtij qëllimi. Nuk kërkohet domosdoshmërisht marrëveshje formale ose dokument i shkruar; ekzistenca e qëllimit të përbashkët mund të nxirret nga provat dhe sjellja e pjesëmarrësve. Megjithatë, pjesëmarrja nuk mund të prezumohet vetëm nga pozita politike ose ushtarake e individit. Duhet të provohet lidhja konkrete ndërmjet veprimtarisë së tij dhe qëllimit të përbashkët kriminal. Po ashtu, jurisprudenca e ICTY-së nuk ka vendosur një kërkesë të përgjithshme që çdo kontribut të jetë domosdoshmërisht substancial, megjithëse rëndësia e kontributit mund të ndikojë në vlerësimin e pjesëmarrjes.

2. Antonio Cassese: mbrojtja e doktrinës dhe nevoja për kufizimin e saj

 

Një nga kontributet më të rëndësishme të Antonio Cassese është studimi: The Proper Limits of Individual Responsibility under the Doctrine of Joint Criminal Enterprise, botuar në Journal of International Criminal Justice. Në këtë punim, Cassese argumenton se JCE është një instrument i nevojshëm për të përcaktuar përgjegjësinë e individëve që marrin pjesë në krime kolektive. Megjithatë, ai nuk e mbron zbatimin e pakufizuar të doktrinës. Përkundrazi, pranon se disa kritika ndaj saj janë të bazuara, veçanërisht ato që lidhen me formën e tretë, JCE III.

2.1. Problemi i parashikueshmërisë

 

Sipas analizës së Cassese, një nga dobësitë themelore të JCE III qëndron në përdorimin e standardit të parashikueshmërisë për të atribuuar përgjegjësinë për krime që nuk ishin pjesë e planit fillestar. Problemi juridik lind kur një individ merr pjesë në një qëllim të përbashkët kriminal, ndërsa një pjesëmarrës tjetër kryen një krim shtesë. Në këto rrethana duhet të përcaktohet nëse krimi shtesë ishte i parashikueshëm për të akuzuarin dhe nëse ai, duke qenë i vetëdijshëm për këtë mundësi, e pranoi rrezikun.

Cassese vëren se një standard tepër i gjerë i parashikueshmërisë mund të çojë në zgjerimin e përgjegjësisë penale përtej fajësisë individuale. Për këtë arsye, ai kërkon një interpretim më të saktë të lidhjes ndërmjet pjesëmarrjes në qëllimin e përbashkët, rrezikut të parashikuar dhe krimit konkret.

2.2. JCE III dhe krimet që kërkojnë qëllim të posaçëm

 

Një nga qëndrimet më të rëndësishme të Cassese lidhet me krimet që kërkojnë dolus specialis, pra qëllim të posaçëm. Ai kundërshton zgjerimin e JCE III në mënyrë që një individ të mbahet përgjegjës si kryerës i një krimi që kërkon qëllim të posaçëm, vetëm sepse kryerja e tij ishte e parashikueshme. Kyproblem është veçanërisht i rëndësishëm në rastin e gjenocidit, për të cilin kërkohet qëllimi për të shkatërruar, tërësisht ose pjesërisht, një grup të mbrojtur si të tillë.

Cassese argumenton se kur mungon elementi subjektiv i nevojshëm për një krim të tillë, mund të shqyrtohen forma të tjera të përgjegjësisë, si ndihma dhe mbështetja (aiding and abetting), nëse provohen elementet përkatëse. Ky qëndrim duhet dalluar nga jurisprudenca e ICTY-së në çështjen Brđanin, ku Dhoma e Apelit pranoi një qasje më të gjerë ndaj JCE III, përfshirë në raport me gjenocidin, duke kërkuar që kryerja e krimit me qëllim gjenocidal të ishte e parashikueshme për të akuzuarin. Pra, pikëpamja kufizuese e Cassese nuk duhet paraqitur si rregull i pakontestuar i jurisprudencës.

2.3. Kufijtë e përgjegjësisë kolektive

 

Cassese ngre gjithashtu çështjen e lidhjes ndërmjet pjesëmarrësve në planin e përbashkët dhe personave që kryejnë fizikisht krimet. Në analizën e tij, përdorimi i JCE-së bëhet problematik kur kryerësit fizikë nuk janë pjesë e planit kriminal dhe veprojnë pa qenë të vetëdijshëm për ekzistencën e tij. Kydiskutim ka rëndësi të veçantë për strukturat komplekse politike dhe ushtarake, ku urdhrat, vendimet dhe veprimet mund të kalojnë nëpër nivele të shumta organizative.

Në thelb, Cassese kërkon që JCE-ja të ruajë aftësinë për të trajtuar kriminalitetin kolektiv, por pa u shndërruar në një mekanizëm të përgjegjësisë së pakufizuar për veprimet e të tjerëve.

3. Kai Ambos: kritika dogmatike ndaj ndërmarrjes së përbashkët kriminale

 

Kai Ambos e trajton JCE-në nga një perspektivë më kritike, duke u përqendruar në përputhshmërinë e saj me parimet themelore të së drejtës penale. Një nga punimet e tij kryesore është: Joint Criminal Enterprise and Command Responsibility, botuar në Journal of International Criminal Justice, vëllimi 5, nr. 1 (2007), f. 159–183. Në këtë studim, Ambos paralajmëron se JCE-ja rrezikon të përdoret si një instrument tepër i gjerë i ndjekjes penale, duke krijuar paqartësi konceptuale dhe duke mbivendosur forma të ndryshme të përgjegjësisë individuale.

3.1. Parimi i fajësisë individuale

 

Në qendër të kritikës së Ambos qëndron parimi nullum crimen sine culpa — nuk ka përgjegjësi penale pa fajësi personale. Nga kjo perspektivë, përgjegjësia për një krim ndërkombëtar duhet të lidhet me sjelljen konkrete të individit, elementin e tij subjektiv dhe bazën juridike të atribuimit të krimit. Pjesëmarrja në një strukturë kolektive nuk është e mjaftueshme për të provuar përgjegjësinë penale. Po ashtu, ekzistenca e një qëllimi politik ose ushtarak të përbashkët nuk mund të barazohet automatikisht me ekzistencën e një qëllimi kriminal.

Kritika e Ambos është veçanërisht e rëndësishme për JCE III, sepse përgjegjësia për krime jashtë planit të përbashkët mund të dobësojë lidhjen ndërmjet fajësisë personale dhe krimit për të cilin individi dënohet.

 

3.2. Dallimi ndërmjet JCE-së dhe përgjegjësisë komanduese

 

Ambos i kushton vëmendje të veçantë marrëdhënies ndërmjet JCE-së dhe përgjegjësisë komanduese (command responsibility). Këto dy forma të përgjegjësisë kanë baza të ndryshme juridike. JCE-ja mbështetet në pjesëmarrjen e individit në realizimin e një qëllimi të përbashkët kriminal. Përgjegjësia komanduese, përkundrazi, lidhet me pozitën e eprorit, kontrollin efektiv mbi vartësit, dijeninë ose standardin përkatës të njohurisë dhe mosmarrjen e masave të nevojshme e të arsyeshme për të parandaluar ose ndëshkuar krimet. Ambos paralajmëron se përdorimi paralel dhe i paqartë i këtyre doktrinave mund të krijojë konfuzion, sidomos në proceset kundër udhëheqësve politikë dhe ushtarakë.

Për shembull, fakti që një komandant ka pasur autoritet mbi një njësi nuk provon vetvetiu se ai ka marrë pjesë në një ndërmarrje të përbashkët kriminale. Anasjelltas, pjesëmarrja në një plan kriminal nuk kërkon domosdoshmërisht ekzistencën e marrëdhënies epror–vartës.

3.3. Kontrolli mbi organizatën si alternativë dogmatike

 

Në diskutimin e tij, Ambos i referohet edhe konceptit gjerman Organisationsherrschaft, që lidhet me kontrollin mbi kryerjen e krimit përmes një aparati të organizuar pushteti. Kykoncept synon të shpjegojë se si një individ në pozitë drejtuese mund të ushtrojë kontroll mbi realizimin e krimeve përmes strukturave organizative, edhe kur nuk merr pjesë drejtpërdrejt në ekzekutimin fizik. Rëndësia e kësaj qasjeje qëndron në përpjekjen për të krijuar kritere më të përcaktuara të atribuimit të përgjegjësisë penale, në vend që ajo të mbështetet vetëm në ekzistencën e një qëllimi kolektiv. Megjithatë, kontrolli mbi organizatën nuk është i barabartë me përgjegjësinë komanduese dhe as nuk duhet trajtuar si zëvendësim automatik i JCE-së. Secila doktrinë kërkon provimin e elementeve të veta juridike.

4. JCE dhe neni 25(3)(d) i Statutit të Romës

 

Një tjetër kontribut i rëndësishëm i Kai Ambos është kapitulli The ICC and Common Purpose—What Contribution Is Required under Article 25(3)(d)?, i botuar në vitin 2015. Në këtë studim, Ambos analizon përgjegjësinë për kontributin në kryerjen e krimit nga një grup personash që veprojnë me qëllim të përbashkët, sipas nenit 25(3)(d) të Statutit të Romës. Ai argumenton se kjo dispozitë përfaqëson një kompromis ndërmjet nevojës për të ndjekur penalisht krimet kolektive dhe kërkesës për të shmangur përgjegjësinë e bazuar vetëm në anëtarësinë në grup ose në marrëveshjen paraprake për kryerjen e krimeve.

Është e rëndësishme të theksohet se JCE-ja e zhvilluar nga ICTY nuk është identike me përgjegjësinë sipas nenit 25(3)(d) të Statutit të Romës. Ky dallim lidhet me formulimin normativ, strukturën e formave të përgjegjësisë dhe kërkesat për kontributin individual dhe elementin subjektiv. Për këtë arsye, jurisprudenca e ICTY-së nuk mund të transferohet mekanikisht në interpretimin e Statutit të Romës.

5. Krahasimi i qasjeve të Cassese dhe Ambos

 

Nga analiza krahasuese e dy autorëve mund të nxirret përfundimi se debati mbi JCE-në nuk lidhet me nevojën për të ndëshkuar krimet ndërkombëtare, por me mënyrën se si përgjegjësia për këto krime duhet t'u atribuohet individëve.Cassese dhe Ambos nisen nga tradita dhe theksime të ndryshme metodologjike, por shqetësimi për kufijtë e përgjegjësisë individuale është i pranishëm te të dy.

Cassese kërkon ta ruajë JCE-në si instrument të përgjegjësisë për krimet kolektive, duke korrigjuar interpretimet e saj tepër të gjera. Ambos, nga ana tjetër, kërkon që çdo formë përgjegjësie të mbështetet në kritere të qarta dogmatike, të cilat dallojnë pjesëmarrjen kriminale nga përgjegjësia për shkak të pozitës, asociimit ose lidhjes organizative.

Në aspektin teorik, problemi bëhet veçanërisht i ndjeshëm kur JCE III përdoret për krime që kërkojnë qëllim të posaçëm. Në këto raste, ekziston rreziku që parashikueshmëria e veprimit të një personi tjetër të trajtohet si zëvendësim i elementit subjektiv të kërkuar për krimin konkret.

Prandaj, një analizë rigoroze duhet të dallojë ndërmjet ekzistencës së planit të përbashkët, pjesëmarrjes individuale, qëllimit kriminal dhe përgjegjësisë për krimet që tejkalojnë objektin e marrëveshjes.

Përfundimisht, JCE-ja duhet kuptuar si një formë e përgjegjësisë penale individuale për pjesëmarrje në kriminalitetin kolektiv, jo si përgjegjësi kolektive në kuptimin e fajësisë së përbashkët automatike. Efektiviteti i drejtësisë penale ndërkombëtare nuk mund të arrihet duke dobësuar standardet e provës, parimin e ligjshmërisë ose kërkesën për fajësi personale.

Tabela 2. Krahasimi i qasjeve të Cassese dhe Ambos

 

Çështja

Antonio Cassese

Kai Ambos

Qëndrimi ndaj JCE-së

E konsideron doktrinë të nevojshme, por kërkon kufizimin e saj.

Thekson problemet dogmatike dhe rrezikun e zgjerimit të përgjegjësisë.

JCE III

Pranon bazën e doktrinës, por kërkon saktësimin e parashikueshmërisë.

Vë në dyshim përputhshmërinë e atribuimit të zgjeruar me fajësinë personale.

Krimet me qëllim të posaçëm

Kundërshton përdorimin e gjerë të JCE III për këto krime.

Thekson nevojën për respektimin rigoroz të elementit subjektiv.

Përgjegjësia komanduese

E trajton JCE-në si formë të veçantë përgjegjësie.

Analizon rrezikun e mbivendosjes ndërmjet dy doktrinave.

Alternativat juridike

Shqyrton ndihmën dhe mbështetjen në rastet kur JCE nuk është e përshtatshme.

Shqyrton edhe kontrollin mbi organizatën dhe kriteret e nenit 25(3)(d).

Problemi qendror

Përcaktimi i kufijve të drejtë të JCE-së.

Ruajtja e koherencës dogmatike dhe parimit të fajësisë individuale.

6. Christoph Barthe: origjina historike dhe analiza krahasuese e JCE-së

 

Një nga studimet monografike të rëndësishme mbi këtë doktrinë është vepra e juristit gjerman Christoph Barthe, Joint Criminal Enterprise (JCE): Ein (originär) völkerstrafrechtliches Haftungsmodell mit Zukunft? Punimi u pranua nga Fakulteti Juridik i Universitetit të Göttingenit si disertacion doktorate në vitin 2008 dhe u botua nga Duncker & Humblot në Berlin në vitin 2009, si vëllimi i parë i serisë Studies in International and European Criminal Law and Procedure. Monografia ka 282 faqe. Vetë nëntitulli – afërsisht, “Një model (origjinar) i përgjegjësisë penale ndërkombëtare me të ardhme?” – tregon se Barthe nuk e trajton JCE-në si konstruksion të vetëkuptueshëm, por si doktrinë që duhet verifikuar në aspektin historik, krahasues dhe dogmatik.

Pikënisja analitike e Barthe është pikërisht vendimi Tadić. Një pyetje qendrore e studimit është nëse dhe në çfarë mase burimet historike të cituara nga Dhoma e Apelit e ICTY-së janë të afta të mbështesin parimet e JCE-së që u formulua në vitin 1999. Në këtë kuadër, Barthe shqyrton jurisprudencën e proceseve të Nurembergut dhe çështje të dokumentuara nga United Nations War Crimes Commission. Në monografinë e tij, Barthe arrin në përfundimin se një pjesë e kritereve të përdorura nga Dhoma e Apelit mund të gjenden tashmë në jurisprudencën penale ndërkombëtare të pasluftës, por studimi nuk ndalet në këtë konstatim: ai ndjek zhvillimin e mëvonshëm të JCE-së në jurisprudencën e tribunaleve ad hoc.

Vlera e veçantë e studimit qëndron edhe në metodën krahasuese. Barthe analizon format e përgjegjësisë për veprimin e përbashkët në dhjetë sisteme juridike të traditave common law dhe civil law. Qëllimi është të shihet nëse JCE përfaqëson një konstruksion vërtet specifik të së drejtës penale ndërkombëtare apo nëse funksionet e tij mund të realizohen përmes kategorive të njohura të së drejtës penale kombëtare. Në sistemet kontinentale ai i kushton rëndësi të veçantë bashkautorësisë dhe autorësisë së tërthortë përmes aparatit të organizuar të pushtetit. Kjo analizë e vendos JCE-në përballë një pyetjeje themelore dogmatike: a nevojitet një kategori e veçantë ndërkombëtare e përgjegjësisë, apo format klasike të autorësisë dhe pjesëmarrjes mund të trajtojnë kriminalitetin kolektiv pa zgjeruar tepër atribuimin penal?

Studimi i Barthe është i rëndësishëm edhe për dallimin ndërmjet JCE-së së tribunaleve ad hoc dhe sistemit të Statutit të Romës të Gjykatës Penale Ndërkombëtare. Statuti i Romës përmban një sistem më të detajuar të përgjegjësisë individuale në nenin 25 dhe të përgjegjësisë së komandantëve dhe eprorëve në nenin 28. Në këtë kontekst, Barthe vë në dukje rëndësinë që u jep bashkautorësisë dhe autorësisë së tërthortë, përfshirë konceptin e kontrollit mbi një aparat të organizuar. Kjo e zhvendos debatin nga pyetja nëse kriminaliteti kolektiv duhet të ndëshkohet – gjë që nuk vihet në dyshim – te pyetja se cila formë juridike e përgjegjësisë respekton më mirë parimin e fajësisë individuale.

 

Studimi i Barthe merr një dimension të veçantë në kontekstin e Kosovës. Sipas biografisë zyrtare të Dhomave të Specializuara, Christoph Barthe ka doktoruar në të drejtën penale ndërkombëtare në Universitetin e Göttingenit dhe ka përvojë profesionale në ndjekjen e krimeve të luftës dhe gjenocidit pranë Gjykatës Federale të Drejtësisë në Gjermani. Ai është anëtar i Trial Panel II të Dhomave të Specializuara dhe ka qenë një nga gjyqtarët në çështjen Prosecutor v. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi and Jakup Krasniqi.

Në procedurat që lidhen me krimet e pretenduara gjatë konfliktit në Kosovë, analiza e JCE-së kërkon dallimin ndërmjet pretendimeve të aktakuzës, standardit juridik të zbatueshëm dhe konstatimeve të provuara të gjykatës. Përkatësia në një organizatë apo pozita drejtuese nuk mjaftojnë vetvetiu për përgjegjësi penale.

Pikërisht këtu studimi i Barthe ofron një kornizë të dobishme kritike. Pyetja nuk është vetëm nëse krime të rënda janë kryer dhe duhet të ndëshkohen, por si ndërtohet lidhja juridike ndërmjet krimit konkret dhe individit që nuk e ka kryer domosdoshmërisht materialisht atë. Sa më e largët të jetë pozita e të akuzuarit nga ekzekutimi fizik, aq më e rëndësishme bëhet prova e qëllimit të përbashkët, kontributit individual dhe elementit mendor. Në këtë kuptim, analiza e JCE-së është në thelb analizë e kufijve të atribuimit penal.

JCE duhet të paraqitet njëkohësisht si instrument i rëndësishëm i luftës kundër pandëshkueshmërisë dhe si doktrinë që kërkon kontroll rigoroz nga parimi i legalitetit dhe fajësisë individuale. Historia nga Tadić te Dhomat e Specializuara tregon se sfida kryesore e drejtësisë penale ndërkombëtare nuk është vetëm të përballojë kriminalitetin kolektiv, por ta bëjë këtë pa e shndërruar përgjegjësinë individuale në përgjegjësi të bazuar në asociim, pozitë ose identitet organizativ. Pikërisht për këtë arsye monografia e Christoph Barthe mbetet relevante: ajo e trajton JCE-në jo si formulë të gatshme, por si konstruksion që duhet testuar ndaj burimeve historike, sistemeve krahasuese dhe alternativave dogmatike të përgjegjësisë penale.

Barthe i kushton një nënkapitull të veçantë çështjes Prosecutor v. Limaj et al. (2005/2007), duke e analizuar në kuadër të kategorisë së dytë të JCE-së. Ai shqyrton akuzat ndaj Fatmir Limajt, Isak Musliut dhe Haradin Balës, lidhur me ngjarjet në kampin e Llapushnikut gjatë vitit 1998.

Barthe evidenton se Dhoma Gjyqësore e ICTY-së nuk e pranoi përgjegjësinë e të akuzuarve mbi bazën e JCE II, pasi nuk ishte provuar në mënyrë të mjaftueshme ekzistenca dhe shtrirja e planit të përbashkët kriminal të pretenduar. Ai shënon se Limaj dhe Musliu u liruan nga të gjitha akuzat, ndërsa Haradin Bala u dënua me 13 vjet burgim. Vendimi i apelit i vitit 2007 la në fuqi përfundimet thelbësore lidhur me JCE-në. Veçanërisht e rëndësishme është se analiza dallon ndërmjet motivit individual të kryerësve dhe ekzistencës së një plani të përbashkët kriminal. Krimet e kryera nga individë të lidhur me një organizatë nuk provojnë automatikisht ekzistencën e një JCE-je që përfshin të gjithë pjesëmarrësit e pretenduar.

Në vend të përfundimi - Drejtësia nuk mund të ndërtohet mbi zgjerimin e fajësisë

 

Debati mbi ndërmarrjen e përbashkët kriminale nuk është thjesht një debat ndërmjet juristëve për një doktrinë të së drejtës penale ndërkombëtare. Ai prek vetë themelet e drejtësisë: parimin e ligjshmërisë, përgjegjësinë individuale dhe detyrimin që fajësia të provohet përtej çdo dyshimi të arsyeshëm. Antonio Cassese, Kai Ambos dhe Christoph Barthe, pavarësisht dallimeve në qasjet e tyre, na kujtojnë se ndëshkimi i krimeve ndërkombëtare nuk mund të realizohet duke relativizuar këto parime. Drejtësia nuk bëhet më e besueshme kur zgjeron kufijtë e përgjegjësisë penale, por kur arrin ta dallojë me saktësi përgjegjësinë e provuar të individit nga përgjegjësia që mund t'i atribuohet për shkak të pozitës, përkatësisë organizative apo veprimeve të të tjerëve.

Të tri qasjet theksojnë, nga këndvështrime të ndryshme, nevojën për ta lidhur kriminalitetin kolektiv me prova të individualizuara. Cassese analizon kufijtë e JCE III; Ambos shqyrton koherencën dogmatike dhe dallimin nga përgjegjësia komanduese; Barthe vlerëson themelet historike dhe alternativat krahasuese të modelit. Për çdo rast konkret kërkohet ndarje e qartë ndërmjet planit të përbashkët, kontributit personal dhe elementit subjektiv.

Në këtë kontekst, aktgjykimi i shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit duhet t'i nënshtrohet një shqyrtimi rigoroz në apel. Vlerësoj se ekzistojnë arsye serioze për të kërkuar rishqyrtimin kritik të mënyrës se si është interpretuar dhe zbatuar doktrina JCE, veçanërisht në raport me provimin e qëllimit të përbashkët kriminal, kontributin individual dhe elementin subjektiv të përgjegjësisë. Nëse shqyrtimi në apel konstaton se përgjegjësia është zgjeruar përtej fajësisë së provuar individualisht, aktgjykimi duhet të korrigjohet, përfshirë ndryshimin ose anulimin e përfundimeve përkatëse. Një korrigjim i tillë nuk do të përbënte dobësi të drejtësisë ndërkombëtare, por dëshmi të funksionimit të saj mbi bazën e ligjit dhe të standardeve të gjykimit të drejtë.

Lufta çlirimtare e Kosovës dhe përgjegjësia penale individuale janë dy çështje që nuk duhet të ngatërrohen. Askush nuk mund të qëndrojë mbi ligjin, por po aq e papranueshme është që përgjegjësia penale të shtrihet përtej asaj që provohet juridikisht. Drejtësia nuk duhet vetëm të ndëshkojë fajtorët; ajo duhet të ketë guximin të korrigjojë edhe gabimet e veta. Pikërisht kyduhet të jetë standardi që udhëheq shqyrtimin në apel të çështjes së katër ish-udhëheqësve të UÇK-së.

Literatura dhe jurisprudenca kryesore

1. Cassese, Antonio. “The Proper Limits of Individual Responsibility under the Doctrine of Joint Criminal Enterprise.” Journal of International Criminal Justice 5, no. 1 (2007): 109–133.

2. Ambos, Kai. “Joint Criminal Enterprise and Command Responsibility.” Journal of International Criminal Justice 5, no. 1 (2007): 159–183.

3. Ambos, Kai. “The ICC and Common Purpose—What Contribution Is Required under Article 25(3)(d)?” In The Law and Practice of the International Criminal Court (2015): 592–607.

4. Barthe, Christoph. Joint Criminal Enterprise (JCE): Ein (originär) völkerstrafrechtliches Haftungsmodell mit Zukunft? Berlin: Duncker & Humblot, 2009.

5. Danner, Allison Marston, and Jenny S. Martinez. “Guilty Associations: Joint Criminal Enterprise, Command Responsibility, and the Development of International Criminal Law.” California Law Review 93, no. 1 (2005): 75–169.

6. Prosecutor v. Duško Tadić, IT-94-1-A, Appeals Judgment, 15 July 1999, paras. 185–226.

7. Prosecutor v. Radoslav Brđanin, IT-99-36-A, Appeal Judgement, 3 April 2007.

8. Kosovo Specialist Chambers, Decision on the Referral of Jakup Krasniqi Concerning the Legality of Charging Joint Criminal Enterprise, KSC-CC-2022-13/F00010, 13 June 2022.

 

Autori është doktor shkence dhe profesor i asocuar në Fakultetin Juridik në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë.

përbashkëtpenalekriminale

Të ngjashme

Arrestohet njeriu i besuar i Vuçiq-it, shefi i Policisë Kriminale në Serbi

Arrestohet njeriu i besuar i Vuçiq-it, shefi i Policisë Kriminale në Serbi

15:53