Dy firma kryesore, të specializuara në analizën e teknologjisë që lidhet me kriptovalutat, kanë njoftuar se zotërojnë prova të forta që e lidhin një sulm kibernetik ndaj platformës Binance, ku u vodhën 6,3 miliardë dollarë, me një grup të mbështetur nga Koreja e Veriut.
TRM Labs dhe Chainalysis kanë identifikuar me një shkallë të lartë sigurie “Lazarus Group” (i njohur si “TraderTraitor”), një grup hakerësh nga Koreja e Veriut, si autorët më të mundshëm të sulmit ndaj bursës më të madhe të kriptovalutave në botë, raporton BBC.
Ky sulm e tejkalon ndjeshëm rekordin e mëparshëm: vjedhjen e vitit 2025 në platformën Bybit, ku u përvetësuan 1,5 miliardë dollarë.
Ky incident është më i fundit në një seri sulmesh që lidhen me Korenë e Veriut, një nga vendet më të varfra në botë, ku qasja në internet është e kufizuar. Ekspertët akuzojnë qeverinë e Kim Jong Un-it se mbështetet te krimi kibernetik për të financuar shtetin – një akuzë që Pheniani e ka mohuar prej kohësh.
Koreja Veriore rekruton studentë elitarë universitarë dhe i orienton ata drejt grupeve të hakerëve, të cilat mbikëqyren nga shërbimet e inteligjencës. Analizat e firmave teknologjike tregojnë se disa nga këto operacione zhvillohen në Kinën fqinje.
