Microsoft i ka ndërprerë ushtrisë izraelite aksesin në teknologjinë, që përdorte për të operuar një sistem të fuqishëm survejimi, i cili grumbullonte çdo ditë miliona thirrje telefonike civile palestineze në Gaza dhe Bregun Perëndimor, zbulon The Guardian.

Microsoft i tha zyrtarëve izraelitë në fundjavë se Njësia 8200, agjencia elitare e spiunazhit ushtarak, kishte shkelur kushtet e shërbimit, duke ruajtur një masë të madhe të të dhënave të survejimit në platformën e saj “Azure cloud”, thanë burime të njohura me situatën.

Vendimi për të ndërprerë mundësinë e Njësisë 8200 për të përdorur disa nga teknologjitë e Microsoft, vjen drejtpërdrejt si rezultat i një hetimi të botuar nga The Guardian muajin e kaluar. Ky hetim zbuloi sesi Azure përdorej për të ruajtur dhe përpunuar sasi të mëdha të komunikimeve palestineze në një program survejimi masiv. Në një investigim të përbashkët me median izraelito-palestineze “+972 Magazine” dhe median në gjuhën hebraike “Local Call”, The Guardian zbuloi se Microsoft dhe Njësia 8200 kishin bashkëpunuar në një plan për të zhvendosur sasi të mëdha të materialeve të ndjeshme të inteligjencës në Azure.