Samsung ka kërkuar nga gjykata rrëzimin e padisë prej 15 milionë dollarësh (rreth 13 milionë euro) të ngritur nga Dua Lipa, lidhur me përdorimin e paautorizuar të imazhit të këngëtares në kutitë e televizorëve të kompanisë.
Në një parashtresë të re të dorëzuar të enjten dhe të siguruar nga “Rolling Stone”, avokatët e kompanisë argumentojnë se këngëtarja nuk ka bazë për të ngritur padi, pasi, sipas tyre, në përdorimin e imazhit të saj “nuk ka asgjë që sugjeron se paditësja i mbështet ose i promovon televizorët”, shkruan Rolling Stones.
“Fotografitë thjesht paraqesin ndërfaqen e televizorëve në ekran, duke ilustruar aplikacionet dhe… një shembull të përmbajtjes që mund të gjendet në televizor”, kanë argumentuar avokatët e Samsung.
Bëhet fjalë për kuti të disa modeleve të televizorëve Samsung që përfshijnë shërbimin Samsung TV Plus, ku imazhi i Dua Lipës është përdorur për të promovuar kanalin “Xite Hits”. Në të njëjtat kuti shfaqen edhe logo të tjera, përfshirë MLB, Fox Sports dhe serialin kriminal “The First 48”.
Samsung kishte deklaruar më herët se kishte marrë “garanci të qartë” nga një prej partnerëve të saj të përmbajtjes se ishin siguruar të gjitha lejet e nevojshme për përdorimin e imazhit.
“Imazhi i zonjës Lipa u përdor në vitin 2025 për të pasqyruar përmbajtjen e partnerëve tanë të palëve të treta, e cila është e disponueshme në televizorët Samsung dhe fillimisht ishte siguruar nga një partner i përmbajtjes për shërbimin tonë falas të transmetimit, Samsung TV Plus”, kishte deklaruar kompania në përgjigje të padisë fillestare.
Sipas Samsung, imazhi është përdorur vetëm pasi kompania kishte marrë garanci të qartë nga partneri se leja për përdorimin e tij ishte siguruar, përfshirë edhe përdorimin në kutitë e televizorëve që shiteshin në dyqane.

