Shkruan: Hisen Berisha
Çështja e Javelinëve, test për vetë shtetin e Kosovës.
Javelinët janë jo vetëm çështje e furnizimi me armatim, por edhe test i besueshmërisë politike, institucionale dhe të sigurisë së Kosovës ndaj partnerëve strategjikë.
Në qoftë se pyetja është nëse Javelinët amerikanë mund të arrijnë në Kosovë në fund të këtij viti ose në fillim të vitit 2027, do të isha i kujdesshëm për një datë të prerë. Ajo që dihet publikisht është se procesi nuk është më në fazën e një kërkese politike.
SHBA-ja e ka miratuar shitjen e mundshme të raketave Javelin dhe njësive të komandimit për Kosovën, në një marrëveshje të vlerësuar atëherë në disa milionë dollarë.
Institucionet kosovare kanë deklaruar se procesi i kontraktimit është avancuar dhe se çështja e dorëzimit lidhet sipas versionit zyrtar të ministrisë së linjës, edhe me kapacitetet e prodhimit dhe planifikimin e furnizimeve.
Prandaj, fundviti 2026 ose fillimi i vitit 2027 mund të trajtohet si një dritare e mundshme kohore, bazuar edhe në atë që deklaroi Ministri i Mbrojtjes, por fakti se nuk ndodhi në mesin e këtij viti tregon se nuk është një datë zyrtare e konfirmuar publikisht nga pala amerikane.
Pjesa më interesante e kësaj çështjeje është se Javelinët nuk duhet të shihen të izoluar nga procesi i përgjithshëm i transformimit të FSK-së.
Kosova po ndërton një forcë me kapacitete gjithnjë e më të avancuara dhe Javelinët janë pjesë e procesi të modernizimit të kapaciteteve antitank.
Në të njëjtën kohë, përveç kërkesës së lartë ndërkombëtare dhe nevojes për rritjen e kapaciteteve prodhuese nga industria amerikane e mbrojtjes, shqetësim është nëse kjo vonesë duhet interpretuar si sinjal politik ndaj Kosovës.
Pra, përveç faktit se ekziston një dimension i qartë teknik, industrial dhe strategjik amerikan, ekziston edhe një dimension tjetër që nuk duhet anashkaluar.
Konferenca e Komitetit Ushtarak të NATO-s në Kopenhagë, më 18–19 shtator 2026, u zhvillua pikërisht në një moment kur Aleanca po e vendos theksin te kalimi nga zotimet dhe buxhetet te kapacitetet reale, gatishmëria, parandalimi dhe aftësitë e reja mbrojtëse.
NATO theksoi gjithashtu nevojën për përshpejtimin e adoptimit të kapaciteteve të reja dhe për një industri mbrojtëse që mund të prodhojë me intenzitet në shkallë të gjërë.
Në këtë kontekst, modernizimi i FSK-së duhet parë në raport me mënyrën se si SHBA-ja dhe NATO-ja po e konceptojnë sigurinë, parandalimin e kërcënimeve dhe rreziqeve, si dhe ndërtimin e kapaciteteve mbrojtëse në Evropë.
Prandaj, situa do një lexim operativ e politik ndryshe.
Javelinët janë më shumë se një sistem armatimi.
Janë pjesë e një procesi të gjatë të ndërtimit të kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës dhe të marrëdhënies së saj të sigurisë me partnerët strategjikë.
Por po aq e rëndësishme është që Kosova të ketë institucione funksionale, koordinim të qëndrueshëm dhe komunikim të besueshëm me partnerët. Modernizimi ushtarak nuk mund të ndahet nga besueshmëria institucionale dhe politike e shtetit.
Prandaj, në vend se të merremi vetëm me pyetjen, a vijnë Javelinët në dhjetor apo në janar, pyetja më e madhe është se, a po i ndërton Kosova kapacitetet e saja mbrojtëse në mënyrë të qëndrueshme, të koordinuar dhe të integruar me partnerët amerikanë dhe euroatlantikë?
Nëse përgjigjja institucionale është po, atëherë data konkrete e një pjese të furnizimit është çështje e procesit teknik dhe strategjik të furnizimit. Nëse jo, atëherë edhe sistemi më modern i armatimit nuk e zëvendëson mungesën e koordinimit institucional.
Këtu, qëndron pyetja më e ndjeshme që duhet ta shtrojmë.
Nëse sistemet e avancuara të armatimit varen jo vetëm nga kontratat dhe kapacitetet prodhuese, por edhe nga niveli i besimit, koordinimit dhe vlerësimit politik e institucional të partnerëve strategjikë, çështja e Javelinëve bëhet edhe një test për vetë shtetin e Kosovës.
A është Kosova politikisht, institucionalisht dhe në aspektin e sigurisë mjaftueshëm e konsoliduar për t’u besuar dhe menaxhuar kapacitete strategjike të këtij niveli?
Zhvillimet aktuale japin arsye që kjo çështje të shtrohet si pyetje serioze.
Dhe nëse ky është problemi real, atëherë sfida e Kosovës nuk është vetëm të sigurojë Javelinët.
Sfida reale është të krijojë nivelin e pjekurisë politike, institucionale dhe të sigurisë që kërkohet për t’ua besuar kapacitetet e tilla.
Në fund të fundit, nuk është vetëm pyetja nëse Amerika do t’ia japë Kosovës armën. Është edhe pyetja nëse Kosova po ndërton shtetin që partnerët strategjikë mund t’ia besojnë armën.
Duhet pasur në konsideratë po ashtu se, nga data 18 deri me 19 shtator 2026, u mbajt Konferenca e Komitetit Ushtarak të NATO-s në Kopenhagë, nga ku në raport me Kosovën u një vlerësim aktual, se modernizimi i FSK-së do të vijojë në mënyrë të kontrolluar dhe sipas objektivave nëpër faza të planifikuara. Prioritet pritet të kenë kapacitetet esenciale dhe konsolidimi i standardeve institucionale e operacionale, ndërsa sistemet e avancuara të armatimit do të varen jo vetëm nga proceset teknike të prokurimit, por edhe nga vlerësimi politik dhe institucional i partnerëve strategjikë. Në këtë kuadër, faktori vendimtar nuk është mungesa e vullnetit për modernizim, por niveli i besimit dhe koordinimit ndërinstitucional që kërkohet për një transformim të plotë të FSK-së.




