Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka thënë se sot, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, nuk mjafton të shohim vetëm vendin e punës, por “duhet ta shohim edhe shtëpinë”.
“Aty ku shumë gra e nisin ditën para se të zgjohen të gjithë dhe e mbyllin pasi të kenë fjetur të gjithë. Aty ku kujdesi për fëmijët, për të moshuarit, për të sëmurët, për ushqimin, për rrobat, për rendin e familjes, vazhdon të merret si detyrë e natyrshme. Por nuk është e natyrshme. Është angazhim, përkushtim, kohë dhe, mbi të gjitha, është punë që as paguhet e as njihet sa duhet”, ka thënë Haxhiu.
Ajo, tutje ka shtuar se në këtë 1 Maj, duhet ta shohim punën në tërësinë e saj dhe t’u japim vendin që u takon punëtoreve dhe punëtorëve të Kosovës.
