Pak ditë më parë, Gjykata Kushtetuese sqaroi situatën aktuale politike, duke konstatuar se Kuvendi është konstituar dhe se, zgjedhja e qeverisë së re nuk është antikushtetuese. Kësisoj, gjykata zhbllokoi ngërçin e krijuar së fundi duke i hapur rrugë hapave të ardhshëm. E që në radhë, është zgjedhja e presidentit. Për këtë të fundit, gjykata po ashtu dha përgjigje, duke konstatuar se shefi i ri i shtetit duhet të zgjidhet deri me 6 tetor, ose përndryshe, shkohet në zgjedhjet e reja.
Vendimi i gjykatës nxiti edhe reagimet e partive politike, të cilat shfaqën qëndrimet e tyre për këtë çështje. Për këtë, ka folur edhe vetë i pari i ekzekutivit dhe lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Kryeministri pasi potencoi se ‘’zgjedhjet e reja janë të panevojshme’’, tha edhe se, s’duhet të shkojmë në zgjedhje vetëm për të ‘’konstatuar rezultate të njëjta’’.
‘’Duhet ta kuptojmë që në Kosovë nuk kemi zgjedhje presidenciale. Zgjedhjet e reja do të jenë sërish për Kuvend e për qeveri dhe jo për president, pasi zgjedhja e presidentit bëhet nga Kuvendi. Pse të shkojmë sërish në zgjedhje për të konstituuar sërish Kuvendin, i cili nuk arrin të zgjedhë president? Nuk duhet të shkojmë vazhdimisht në zgjedhje vetëm për të konstatuar rezultate të njëjta”, deklaroi sot Kurti.
Lidhur me të njëjtën temë, janë deklaruar edhe nga Partia Demokratike e Kosovës. Ka qenë vetë kryetari i kësaj partie, Bedri Hamza, ai i cili dje dha komentet e tij.
Hamza, fillimisht theksoi se pas dënimit të ish-krerëve të UÇK’së, ‘’jemi në rrethana të reja’’, kësisoj, edhe PDK’ja, bazuar në rrethanat aktuale do i ‘’ndërrojë’’ dhe do t’i ‘’përshtatë’’ qëndrimet e veta.

