Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se Kuvendi duhet ta shfrytëzojë mandatin që ka për të zgjedhur presidentin e ri, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që përcaktoi 6 tetorin si afatin e fundit për përfundimin e kësaj procedure.
Kurti ka thënë se secili subjekt politik ka përgjegjësi në përputhje me peshën e votës që ka marrë në zgjedhje, ndërsa ka vlerësuar se një rikthim në zgjedhje do të ishte i panevojshëm.
Sipas tij, në rast se Kuvendi dështon ta zgjedhë presidentin, vendi do të shkojë në zgjedhje të reja. Kurti ka theksuar se ato do të ishin zgjedhjet e katërta brenda dy vitesh dhe ka shprehur qëndrimin se një proces i ri zgjedhor mund të sjellë sërish një situatë të ngjashme.
“Qytetarët kanë përcaktuar përgjegjësinë e secilit subjekt në Kuvend. Askujt nuk i kanë dhënë përgjegjësi absolute, rrjedhimisht secili subjekt ka përgjegjësi sipas peshës së votës së qytetarëve. Sipas njoftimit të pardjeshëm të Gjykatës Kushtetuese, afati për zgjedhjen e presidentit është deri më 6 tetor. Nëse nuk do të arrijmë të zgjedhim president të ri, do të shkojmë sërish në zgjedhje, që do të jenë zgjedhjet e katërta brenda dy viteve. Zgjedhjet e reja janë të panevojshme. Ne tashmë kemi kryetar të Kuvendit dhe kemi qeveri të zgjedhur, dhe ky Kuvend mund t’i japë vendit president apo presidente. Duhet ta kuptojmë që në Kosovë nuk kemi zgjedhje presidenciale. Zgjedhjet e reja do të jenë sërish për Kuvend e për qeveri dhe jo për president, pasi zgjedhja e presidentit bëhet nga Kuvendi. Pse të shkojmë sërish në zgjedhje për të konstituuar sërish Kuvendin, i cili nuk arrin të zgjedhë president? Nuk duhet të shkojmë vazhdimisht në zgjedhje vetëm për të konstatuar rezultate të njëjta”, ka deklaruar Kurti.
Kushtetuesja ka bërë të ditur se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka nisur më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor 2026.