Mbrojtja e të akuzuarve për rastin “Banjska” ka nisur fjalët përfundimtare në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Nën masa të larta të sigurisë janë sjellur edhe sot në gjykatore të akuzuarit, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, të cilët akuzohen për sulmin terrorist në Banjskë në shtatorin e vitit 2023.
Deklarimet e tij përmbyllëse i ka përfunduar mbrojtja e Blagoje Spasojeviqit, avokati Ljubomir Pantoviq, sipas të cilit, aktakuza nuk ka lidhje me klientin e tij.
Pas fjalës së avokatit, i akuzuari Bllagoje Spasojeviq tha se ka menduar të pranojë fajësinë, por që në anën tjetër tha se “nuk mund të them se jam terrorist”.
“Shumë herë kam menduar që ta pranojë fajësinë, dhe po të ishte reale kjo aktakuzë e Prokurorisë Speciale unë këtë gjë do ta bëja. Unë jam fajtor për të ditë pse kam qenë në fshatin Banjskë. Dhe ky është gabimi im më i madh në jetë. Jam fajtor për këtë gjë, por i nderuar gjyqtar unë për vete nuk mund të them se jam terrorist për arsye se askënd nuk e kam vrarë, askënd nuk e kam lënduar, asnjë plumb të vetëm unë nuk e kam shkrepur ndaj pjesëtarëve të policisë dhe ndaj askujt tjetër. Nëse është ekzaminuar pushka ime, ka mund të vërtetohet se nga ajo pushkë janë shkrepur dy plumba. Që të dyja në reflektorin, i cili ka qenë pranë Manastirit i cili e ka ndriçuar atë zonë që unë kam qenë në atë moment”, tha ai.
Avokati Ljubomir Pantoviq teksa u mundua të shfajësojë të akuzuarit tha se gjatë këtij gjyqi nuk është marrë për bazë prezumimi i pafajësisë.
“Çfarë kemi mundur të dëgjojmë në këtë sallë gjyqësore lidhur me këtë çështje gjyqësore – ‘jepuni të pandehurve, të gjitha të drejtat që u takojnë sipas ligjit, por dënojeni me burgim të përjetshëm’. Këtë e ka deklaruar njëri nga kolegët, përfaqësuesi i autorizuar i të dëmtuarve në këtë sallë gjyqësore që në fillim të gjykimit. Pra, edhe pse nuk është administruar asnjë provë në këtë shqyrtim, është folur për aktgjykimin për dënim, i cili në mënyrën përfundimtare duhet të jetë vetëm ekskluzivisht dënimi më i rëndë i mundshëm sipas ligjit dhe asnjë tjetër. Si është e mundur që t’i bëhet thirrje gjykatës për respektimin e të gjitha të drejtave ligjore të pandehurve, ndërkohë që në të njëjtën kohë të flitet për aktgjykimin dhe për dënimin më të rëndë të mundshëm”, deklaroi ai.
Mbrojtja e Bllagoje Spasojeviq, avokati Ljubomir Pantoviq tha se “aktakuza është e përpiluar gabimisht”. Në fjalën e tij përfundimtare, ai pretendoi se gjitha provat e Prokurorisë Speciale janë “të padobishme”.
“Kjo aktakuzë është ngritur pas një viti hetimesh dhe përmban 156 faqe tekst dhe një numër fotografish, grafikash, skicash, si dhe shoqërohet me dhjetëra orë incizime, të cilat kryesisht do të thoja se janë të padobishme për këtë ngjarje. Dhe në shikim të parë, nga jashtë kjo aktakuzë krijon përshtypjen se është e mirë, se me të gjithçka është në rregull. Por, të nderuar gjyqtarë, kjo nuk është kështu. Unë që në fillim do të paraqes vetëm dy shembuj të thjesht nga të cilat mund të shihet që kjo aktakuzë nuk ka sistem, nuk ka koncept. Që nga ana formale është e përpiluar gabimisht”, shtoi ai.
Gjatë parashtrimeve të tij në gjykatore, avokati serb pati vërejtje edhe në renditjen e emrit të klientit të tij në aktakuzë.
Edhe pse javën e kaluar prokurori Naim Abazi ka kërkuar burgim të përjetshëm për të akuzuarit, avokati serb e sheh të pamjaftushe për këtë dënim akuzën me 121 faqe.
“I mbrojturi im akuzohet për veprat më të rënda të mundshme. Ai është i akuzuari i dytë sipas kësaj aktakuze, menjëherë pas Milan Radojiçiqit. Këtë të theksoj, se është e vërtetë e paqartë mbi bazën e cilave kritere, Prokuroria e ka përcaktuar këtë renditje të të pandehurve. Ndërsa, i dyta është se aktakuza i ka 121 faqe dhe vetëm tri herë është i përmendur dhe në mënyrë sipërfaqësore dhe kalimthi. Shumë më tepër se ai përmenden të pandehurit e tjetër të cilët nuk janë këtu. Dhe shumë më shumë janë përmendur disa dëshmitarë në këtë aktakuzë”, deklaroi ai.
