Kryeministri i Albin Kurti pas dështimit të arritjes së një marrëveshjeje për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, pesë ditë para skadimit të afatit të dhënë nga Kushtetuesja, u është drejtuar qytetarëve te Kosovës me një video, ku kritikoi opozitën për refuzimin e ofertave të tij dhe mos ofrim të alternativave.
Ai tha se qytetarët kanë dhënë një mesazh të qartë në zgjedhje dhe se ky vullnet duhet të respektohet nga të gjitha subjektet politike.
“Pas 10 muajsh bllokadë gjatë vitit 2025, në zgjedhjet e 28 dhjetorit populli i Kosovës foli më qartë se asnjëherë më parë në periudhën e pasluftës”, u shpreh Kurti.
Kurti kritikoi partitë opozitare për mosgatitshmëri dhe theksoi se ato e kanë detyrim të veprojnë në përputhje me këtë rezultat.
“Është obligim i secilit subjekt politik e lider partie të sillet në përputhje me atë vullnet të shprehur”, deklaroi ai.
Kurti tha se zgjedhjet e reja do të sillnin kosto financiare dhe institucionale për vendin dhe nuk do të ndryshonin situatën politike në mënyrë thelbësore.
“Organizimi i zgjedhjeve të reja do t’i kushtonte Kosovës së paku 10 milionë euro”, tha ai, duke shtuar se do të kishte edhe humbje të tjera financiare për shkak të mosfunksionimit institucional.
Ai theksoi se çështja kryesore mbetet sigurimi i kuorumit për zgjedhjen e Presidentit.
