Ish-prokurori special në rastin “Veteranët”, Elez Blakaj, ka reaguar lidhur me vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë ndaj 10 të akuzuarve të cilët u dënuan me nga 1 vit burg.
“Pas gati 7 viteve, Gjykata Themelore në Prishtinë paska marrë vendim për rastin e veteranëve! Për ata që kanë mashtruar, gënjyer, shpifur si dhe për ata që kanë futur duart në rast, mos u bëni marak, sepse Apeli e kthen rastin përsëri në rigjykim! Miq, ky më poshtë është ligji me të cilin është bërë kategorizimi i veteranëve të UÇK-së, për të cilin qëllimisht anëtarët e Komisionit Qeveritar dhe avokuesit e tyre kanë tentuar të manipulojnë opinionin publik”, ka thënë ai.
Blakaj gjithashtu shton se Neni 3 i Ligjit Nr. 04/L-261 ka këto përkufizime:
1.3. Veteran i UÇK-së – pjesëmarrës në luftën për çlirimin e Kosovës si:
• 1.3.1. Invalid i luftës së UÇK-së – luftëtari, pjesëtari dhe i internuari (i burgosuri) i UÇK-së, i cili ka pësuar plagë, lëndime (dëmtime) fizike dhe psikike apo sëmundje të rënda gjatë luftës ose në burgjet dhe kampet e armikut, gjatë periudhës së luftës, me shkallë të invaliditetit së paku 10%.
• 1.3.2. Veteran luftëtar i UÇK-së – qytetari i Kosovës dhe shtetasi i huaj i cili është radhitur në radhët e UÇK-së dhe është regjistruar si ushtar i armatosur dhe i uniformuar nga komandat, shtabet e zonave operative të UÇK-së, përkatësisht Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, dhe ka qenë aktiv deri në përfundimin e luftës.
• 1.3.3. I internuar i UÇK-së – secili person i cili, për shkak të veprimtarisë së tij si pjesëtar i UÇK-së, është arrestuar gjatë periudhës 1997–1999 dhe mbajtur në burg nga forcat e Serbisë.
• 1.3.4. Pjesëtar i UÇK-së – çdo person i cili, me vendim apo akt tjetër, është caktuar të kryejë detyra konkrete në mbështetje politike, logjistike, financiare dhe detyra të tjera, të marra nga komandantët e njësive, shtabeve dhe zonave të UÇK-së, përkatësisht Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, gjatë periudhës 1997–1999.