Marrëdhëniet mes Ukrainës dhe Serbisë nuk janë strategjike, por interesat e ndërsjella që i kanë afruar dy vendet po ndikojnë edhe në mënyrën se si Kievi e trajton çështjen e pavarësisë së Kosovës, vlerësojnë ekspertët.
I gjithë ky diskutim u nxit pas vizitës së parë zyrtare të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Beograd, ku ai tha se respekton integritetin territorial të partnerëve dhe se qëndrimi i Ukrainës ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës “mbetet i pandryshuar”.
Kateryna Shymkevych, eksperte në Qendrën Analitike për Studime Ballkanike me bazë në Ukrainë, thotë se Kievi e sheh bashkëpunimin me Beogradin si të dobishëm për furnizimin me municion, marrëdhëniet me Bashkimin Evropian dhe përpjekjet për ta afruar Serbinë, qoftë edhe pjesërisht, me Perëndimin.
Ndërsa Serbia, thotë ajo, ka nevojë për marrëdhënie më të mira me Gjermaninë dhe Francën, dhe e sheh Ukrainën si një urë drejt BE-së, Ukraina ka interesa konkrete në raport me furnizimin me armë dhe municion dhe dëshiron të mbajë një kanal komunikimi me një vend tradicionalisht prorus.
“Ukraina qartësisht e kupton se Serbia është një vend prorus, por t’i thuash Brukselit se ne nuk do të bashkëpunojmë me Serbinë nuk është një opsion i zbatueshëm”, thotë Shymkevych për Radion Evropa e Lirë.
Ngjashëm shprehet edhe Yevhen Mahda, drejtor ekzekutiv i Institutit për Politikat Botërore në Kiev.
Ai thotë se Ukraina dhe Serbia nuk mund të quhen partnerë strategjikë, dhe vlersëon se ishte presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuciq, ai që realisht përfitoi më shumë nga vizita e Zelenskyt.
Por, Mahda s’e përjashton që edhe Ukraina ka interesa në këtë marrëdhënie.
“Shkurtimisht, [Ukraina përfiton] furnizime me municion dhe perspektivën e përdorimit të Serbisë si kanal për negociata me Rusinë”, thotë ai për REL-in.
E, në këtë ekuacion interesash hyn edhe çështja e Kosovës, me mosnjohjen e saj nga Ukraina që ishte një nga pikat e diskutimit gjatë vizitës së Zelenskyt në Beograd.
Pse nuk e njeh Ukraina Kosovën?
Kievi e arsyeton qëndrimin mosnjohës ndaj pavarësisë së Kosovës duke u thirrur në parimin e integritetit territorial, dhe në frikën se njohja mund të përdoret nga Rusia si precedent për territoret ukrainase të pushtuara.
Por, Kosova argumenton se krahasimi nuk qëndron: në vitin 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstatoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Në një analizë të publikuar këtë javë për Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, Ramadan Ilazi argumenton se Kosova dhe territoret ukrainase të pushtuara nga Rusia nuk janë raste të krahasueshme, dhe se Ukraina nuk duhet të krijojë “paralele fiktive” mes tyre.
Kosova, tregon ai, fitoi pavarësinë pas viteve të represionit, luftës, ndërhyrjes së NATO-s dhe një procesi të gjatë ndërkombëtar për përcaktimin e statusit. Krimea, në anën tjetër, u pushtua dhe u aneksua nga Rusia përmes forcës ushtarake.
Çfarë ndodhi në Krime?
Edhe profesori i studimeve për paqe dhe konflikt në Universitetin e Dublinit, Gëzim Visoka, e vendos këtë dallim në qendër të kritikës së tij.
Sipas tij, “nuk ka paralele mes Kosovës dhe territoreve ukrainase të pushtuara”, dhe Ukraina do të ishte më mirë ta njihte Kosovën sesa të krijonte krahasime që, në fund, mund t’i shërbejnë interesave të Rusisë për të justifikuar pushtimin e territoreve ukrainase.
“Në këtë kontekst, mendoj se komenti i panevojshëm dhe jomiqësor i Ukrainës për pavarësinë e Kosovës jo vetëm që i jep legjitimitet qasjes penguese të Serbisë, por gjithashtu u ofron edhe një tjetër justifikim pesë shteteve anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.




