Kosova po hyn në një krizë të re institucionale që, sipas ish-zëvendëskryeministrit Haki Abazi, është planifikuar prej kohësh. Ai vlerëson se shtyrja e seancës konstituive deri në fund të afatit kushtetues dhe zhvillimet politike të muajve të fundit janë pjesë e një skenari që synon zgjedhje të reja pas dështimit të zgjedhjes së presidentit.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Abazi tha se pret që Kuvendi të konstituohet vetëm formalisht, ndërsa më pas të dështojë zgjedhja e presidentit, duke e futur vendin në një krizë të re institucionale.
“Tani vetë fakti që është shtyrë në ditën e fundit të afateve kushtetuese tregon se sa joserioze është qasja ndaj formimit të institucioneve. Posaçërisht duke marrë parasysh që nuk kemi parlament funksional për më shumë se tri vite. Do të thotë Kurti dhe strukturat e tij, ose Kurti vetë duke i vënë në veprim për nevojat e tij, ka sjellë momentin e fundit të krijimit të parlamentit të ri të Kosovës, Kuvendit, i cili realisht nuk do të ketë absolutisht asnjë vlerë për shkak se unë jam i bindur që i gjithë skenari është i përgatitur që të shkojmë në zgjedhje të reja, dhe ato në kohën e pushimit të dimrit. Do të thotë do të kemi një konstituim sa për sy e faqe dhe dështim të përzgjedhjes së presidentes/presidentit, dhe kjo dërgon mandej në krizë tjetër, e cila domosdoshmërisht kërkon zgjedhje të reja”, tha ai.
Sipas tij, përgjegjësia për moskrijimin e institucioneve i takon Lëvizjes Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve, ndërsa fajësimi i partive të tjera është vetëm përpjekje për t’i shmangur përgjegjësitë.
“Pas zhvillimeve të fundit në Lidhjen Demokratike të Kosovës, mendoj që veç është bartë faji. Kurti ka arritur që edhe në këtë fazë ta vendosë fajin tek të tjerët, në këtë rast te LDK-ja, duke mos e marrë përgjegjësinë që ka një parti e cila i ka shumicën parlamentare, e cila është e detyruar t’i japë vendit institucione qoftë edhe nëpërmjet kompromiseve politike për të arritur tek institucionet e qëndrueshme dhe zbatimin e programit qeverisës”, theksoi Abazi.
Duke komentuar deklaratat e LVV-së se ka votat për qeverinë, por jo edhe për presidentin, Abazi tha se kjo është një “lojë frazash”.
“Tani situata qëndron kështu. Formulimi se ‘kemi vota për qeverinë, për ekzekutivin’ dhe ‘nuk kemi përgjegjësinë e plotë për presidentin’ tregon që është lojë frazash, manipuluese dhe mashtruese. Për shkak se nuk mund të kesh vota për qeverinë e të njëjtën kohë ta bartësh fajin tek partitë të cilat dikur ju thanë që me këto vota nuk e meritojnë pozitën e presidentit. Edhe sikur të duan opozita ose partitë e tjera, nuk mundën me dalë me një zgjidhje nga kjo situatë. Do të thotë është vetëm lojë fjalësh për ta bartur edhe për ta filluar fushatën elektorale. Do të thotë Kurti është që të gjithë kohën në fushatë elektorale duke tentuar t’i akuzojë të tjerët për dështimet. Se kini parasysh që prapa këtyre dështimeve qëndrojnë edhe humbja e qindra miliona eurove të Bashkimit Evropian. Do të thotë fajin për humbjen e qindra miliona eurove po do me e bartë te dikush tjetër dhe jo tek adresa kryesore që është vetë Kurti në këtë situatë”, u shpreh ai.
Abazi u ndal edhe te zhvillimet e fundit në LDK, duke thënë se rizgjedhja e Lumir Abdixhikut nuk e zgjidh problemin e përçarjes së partisë.
“Tani Lumiri ka bërë një fitore, por që është humbje për Kosovën. Sepse nuk mund të ketë më marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje një Lidhje Demokratike e cila realisht ka dalë nga një proces i brendshëm në gjysmë. Këtë që po e them nuk po e kundërshtoj në asnjë formë rikonfirmimin e Abdixhikut në krye të LDK-së, por po them që fakti që ballafaqimi përbrenda LDK-së e ka lënë në dy gjysma, gati se të barabarta sepse po flasim për aspekt përmbajtësor e strukturor partiak, i bie që nuk mundet Abdixhiku ta kontrollojë votën ose ta rreshtojë votën prapa një marrëveshjeje me Lëvizjen Vetëvendosje të atyre deputetëve të cilët kanë qenë në anën tjetër të gjysmës, do të thotë kundër Abdixhikut”, tha Abazi.
Ai shtoi se, edhe nëse arrihet një marrëveshje politike mes LVV-së dhe LDK-së, sipas tij ajo nuk garanton krijimin e institucioneve.
