Ish-deputeti Haki Abazi ka deklaruar se pas profilit “Lule Gjeli” qëndron një person me të cilin, sipas tij, është takuar më herët dhe i cili është prezantuar me identitete të ndryshme.
Duke folur në “Debat Plus” RTV Dukagjini, Abazi tha se çështja tashmë është në duart e institucioneve të drejtësisë, ndërsa kërkoi që të hetohet veprimtaria e këtij profili dhe ndikimi që, sipas tij, ka pasur në hapësirën publike.
“Është një njeri të cilin e kam takuar dhe qëndron mbrapa profilit ‘Lule Gjeli’. Prezantimi i tij ka qenë me identitete të ndryshme, ka mundur të jetë Gendi, Taulanti e të tjera”, deklaroi Abazi.
Ai tha se nuk është marrë me spekulimet rreth fotografive apo identitetit të personit, duke theksuar se zhvillimet teknologjike dhe inteligjenca artificiale mund të krijojnë interpretime të ndryshme.
“Nuk isha marrë fare me spekulime të fotografisë, sepse sot me inteligjencë artificiale apo informacione mund të ketë spekulime që mund të çojnë në drejtime të ndryshme. Institucionet e drejtësisë e kanë filluar procesin”, u shpreh ai.
Abazi tha se në një postim të tij ka ofruar mundësinë për të dëshmuar për profilin “Lule Gjeli” dhe, sipas tij, për implikimet që lidhen me aktivitetin e tij në rrjete sociale.
Ai e lidhi këtë çështje me atë që e quajti “milicia e Facebook-ut të Lëvizjes Vetëvendosje”, duke pretenduar se bëhet fjalë për një mekanizëm që synon individë dhe procese të rëndësishme në vend.
“Është një grup që realisht targeton individë, procese të rëndësishme të vendit. Nuk po flas vetëm për figura politike, por edhe për figura ndërkombëtare, konkretisht edhe zyrtarë të shtetit të Amerikës, por jo vetëm”, tha Abazi.
