Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se ka ofruar dorëheqjen e tij nga pozita e kryetarit të partisë, duke theksuar se ky është hapi më moral që një udhëheqës politik mund të ndërmarrë në rrethana të tilla.
Në një deklaratë publike, Abdixhiku tha se pas një diskutimi të gjatë prej më shumë se pesë orësh me strukturat e partisë, janë dëgjuar të gjitha zërat, kritikat dhe shqetësimet, për të dalë më pas me një qëndrim të përbashkët dhe me përgjegjësi para qytetarëve.
“Kam ofruar dorëheqjen time dhe kam hapur rrugën për secilin që ka pretendime. Vendimi tani nuk është më i imi, por i LDK-së”, u shpreh ai.
Reagimi i plotë:
Më shumë se dorëheqja nuk kam çfarë të ofroj!
Kam dëgjuar dhe jemi dëgjuar me njëri-tjetrin me vëmendje. Çdo zë, çdo kritikë dhe çdo shqetësim, me orë të tëra. Pesë orë e gjysmë. Në fund kemi dalur me përgjegjësi të plotë dhe me dinjitet para qytetarëve për të shprehur jo mendimin e një individi, as timin, por të shumicës dërmuese, ashtu siç u pajtuam pas pesë orë diskutimi.
Nuk i shmangemi asnjë përgjegjësie dhe nuk i ikim asnjë reflektimi. Unë, edhe më pak.
Kam marrë hapin më moral që një kryetar mund ta marrë: kam ofruar dorëheqjen time. Kam hapur rrugën për secilin që ka pretendime. Jeni të lirë të garoni; në Kuvend e keni mundësinë. Tani vendimi nuk është më i imi, është i LDK-së.
