Kryetari i LDK-së dhe kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka reaguar sërish pas përfundimit të procesit zgjedhor.
Përmes një deklarate në Facebook, ai ka shprehur mirënjohje për vlerësimin e qytetarëve dhe për mundësinë e dhënë atij dhe kandidates së partisë për presidente, Vjosa Osmanit.
“Qytetarëve të Kosovës – mirënjohje për vlerësimin e dhënë dhe për mundësinë e dytë ndaj nesh. Nga dhjetori deri më sot nuk ka kaluar shumë kohë. Në çdo normalitet kohor, gjërat nuk do të ndryshonin kaq shpejt. As gjashtë muaj diferencë mes dy palë zgjedhjeve. Por për LDK-në, dhe vetëm LDK-në e askënd tjetër, ishte ndryshe. Këtë herë për të mbarë. Nga një krizë historike me apetite e projekcione të errëta, drejt një stabiliteti të ri. Drejt rikthimit të besimit duke qenë të vërtetë dhe duke qenë vetja. Dhe kjo është pasuria më e madhe që kemi sot. Qëndrojmë si LDK me 20 mandate”, ka shkruar kreu i LDK-së.
Ai thekson se Kosova vazhdon të jetë në krizë ndaj ka nevojë për stabilitet, duke theksuar se LDK-ja, sipas tij, për të dytën h erë arriti të krijojë parakushte për balancë demokratike para kontrollit absolut.
“Përpara nesh kemi edhe reforma të thella të brendshme. Na duhen njerëz që i japin vizionit tonë, që ndërtojnë bashkë me ne, e jo të tillë që vetëm marrin pa dhënë, pengojnë e shpresojnë në rrënim kolektiv për përfitim individual. Këto reforma do t’i bëjmë. Me prioritet, shpejtë dhe qartë si kurrë më parë. Por përtej vetes sonë, tani është koha t’i japim vendit drejtim. Kosova jonë vazhdon të jetë në krizë. Kosova jonë ka nevojë për stabilitet. LDK për të dytën herë arriti të krijojë parakushte për balancë demokratike para kontrollit absolut. Nuk ishte e lehtë. Pa punën tonë Kosova do të dukej e frikshme. Tani na duhet maturi, vizion, dhe apetit për zhvillim të vendit”.
Në fund, Abdixhiku ka uruar të gjitha partitë politike në Kosovë për një garë demokratike dhe për rezultatin zgjedhor, duke u bërë thirrje për ta shfrytëzuar rezultatin për vendin siç e meriton.
“Në emër të anëtarësisë sonë, uroj të gjitha partitë politike në Kosovë për një garë demokratike dhe për rezultatin e tyre zgjedhor. Le ta shfrytëzojmë këtë rezultat për ta bërë vendin siç e meriton. Falënderoj poashtu të gjithe ata që na uruan, inkurajuan e ofruan veten per drejtimin përpara. Ishit të shumtë, ishin me zemër, ishin me plot dashni – sepse kjo shtëpi vërtetë ështe e juaja; dhe shtepia duhet nuk lakmohet”, përfundoi kreu i LDK-së.