Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka vazhduar ciklin e takimeve me qytetarë nëpër komunat e Kosovës. Në prag të festave të nëntorit, Gjini ka qëndruar sot në Prizren, ku së bashku me anëtarë të Aleancës nga të gjitha strukturat ka zhvilluar takime me qytetarë dhe përfaqësues të bizneseve lokale.
Gjatë vizitave, Gjini është takuar me punëtorë të filigranit, të cilët ruajnë një prej zejeve më të njohura të trashëgimisë kulturore të Prizrenit, si dhe me përfaqësues të kompanive prodhuese që eksportojnë produktet e tyre në tregjet evropiane.
Në veçanti, ai ka vizituar kompaninë “Proton Cable”, ku është pritur nga vëllezërit Dida, e cila prodhon mbi 800 tonë kabllo në vit, si dhe “Gerti Foods”, prodhuesin e vetëm në Kosovë të tortillave dhe petëve të donerit, me eksporte në Gjermani, Francë dhe Hungari.
Gjini ka theksuar se gjatë këtyre takimeve ka dëgjuar nga afër sfidat me të cilat përballen prodhuesit vendorë, duke veçuar krizën e energjisë elektrike, infrastrukturën dhe barrën fiskale.

