Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka kritikuar politikat ekonomike të Qeverisë së Kosovës, duke vlerësuar se rritja e pagave, shtesave për fëmijë dhe pensioneve nuk po shoqërohet me masa të mjaftueshme për zhvillimin e sektorit privat dhe rritjen e prodhimit vendor.
Në një postim në Facebook, Ahmeti ka ngritur shqetësimin për rritjen e vazhdueshme të çmimeve dhe vështirësitë e qytetarëve për ta përballuar koston e jetesës. Ai ka theksuar se Kosova po përballet me një nivel të lartë të inflacionit, pavarësisht se përdor euron si valutë.
Sipas Ahmetit, një pjesë e inflacionit vjen nga tregjet ndërkombëtare, por një pjesë tjetër lidhet me politikat e gabuara shtetërore dhe mungesën e investimeve në prodhimin vendor.
Ai ka argumentuar se rritja e çmimeve ndikon edhe në rritjen e të hyrave të shtetit përmes TVSH-së, ndërsa qytetarët detyrohen të shfrytëzojnë kursimet e tyre për të përballuar shpenzimet mujore.
Ahmeti ka kritikuar edhe mënyrën se si, sipas tij, po shpërndahen paratë publike, duke thënë se ndihmat, shtesat dhe rritjet e pagave po orientohen kryesisht drejt konsumit dhe importeve, pa u shoqëruar me rritje të prodhimit vendor.


