Gjykata Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut ka riaktivizuar përpjekjet për të shqyrtuar ligjin e Gjuhës që kufizon zbatimin e gjuhës shqipe në vendin fqinj. Pas këtij vendimi të Kushtetueses, ka reaguar kryetari i Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale i bën thirrje Gjykatës të mos sillet si institucion parapolitik dhe instrument i axhendave destabilizuese.
“Gjuha shqipe për mua nuk është dhe nuk do të jetë kurrë çështje negocimi. E kam thënë dhe do ta përsëris pa asnjë rezervë: Marrëveshja e Ohrit është themel i këtij shteti dhe kush e vë në pikëpyetje atë, vë në pikëpyetje vetë të ardhmen e tij. Shqipja nuk është privilegj, por e drejtë e fituar dhe e garantuar me Kushtetutë. Çdo tentativë për ta relativizuar apo kufizuar këtë të drejtë është një përballje e drejtpërdrejtë me rendin kushtetues dhe nuk do të kalojë pa përgjigje”, shkruan Ahmeti.
Shtetet e qëndrueshme ndërtohen mbi parime të qarta, mbi marrëveshje të mëdha politike dhe mbi respektin e ndërsjellë ndërmjet qytetarëve dhe popujve që i përbëjnë ato. Kur këto parime ruhen dhe forcohen, shteti ecën përpara; kur ato relativizohen, hapen debate të panevojshme që nuk i shërbejnë askujt.
Ka çështje që nuk duhen trajtuar me pasion të ditës, por me pjekurinë që kërkon shteti. Ka tema që nuk janë as pronë e partive, as objekt garash politike, por pjesë e marrëveshjes sonë të përbashkët për të jetuar bashkë, të barabartë, në një shtet të përbashkët dhe evropian. Një prej këtyre çështjeve është statusi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare.
Për mua, barazia nuk ka qenë kurrë slogan. Ajo ka qenë bindje e pandryshuar politike dhe morale. Sepse shteti bëhet i fortë jo atëherë kur njëra palë ndjehet superiore, por atëherë kur çdo qytetar dhe çdo popull ndjehet i respektuar, i njohur dhe i përfaqësuar me dinjitet të plotë. Pikërisht këtu qëndron pesha e gjuhës: ajo nuk është vetëm mjet komunikimi, por shprehje e identitetit, e dinjitetit dhe e barazisë kushtetuese.
Gjuha shqipe për mua nuk është dhe nuk do të jetë kurrë çështje negocimi. E kam thënë dhe do ta përsëris pa asnjë rezervë: Marrëveshja e Ohrit është themel i këtij shteti dhe kush e vë në pikëpyetje atë, vë në pikëpyetje vetë të ardhmen e tij. Shqipja nuk është privilegj, por e drejtë e fituar dhe e garantuar me Kushtetutë. Çdo tentativë për ta relativizuar apo kufizuar këtë të drejtë është një përballje e drejtpërdrejtë me rendin kushtetues dhe nuk do të kalojë pa përgjigje.
Shqiptarët në këtë vend nuk e kanë kontestuar asnjëherë gjuhën maqedonase dhe identitetin maqedonas; përkundrazi, janë përcaktuar vazhdimisht për një Maqedoni të përbashkët, unitare, euroatlantike dhe evropiane. Kjo është e vërteta që duhet thënë qartë: barazia e shqiptarëve nuk e ka dobësuar shtetin, por e ka forcuar atë. Nuk e ka cenuar bashkëjetesën, por e ka bërë më të drejtë. Nuk e ka lëkundur orientimin perëndimor të vendit, por e ka bërë të mundur.
Unë besoj dhe qëndroj fuqishëm pas kësaj: barazia gjuhësore është shtylla mbi të cilën qëndron bashkëjetesa. Paqja dhe stabiliteti nuk ndërtohen mbi dominimin e njërit mbi tjetrin, por mbi barazinë reale. Një shtet që nuk u flet qytetarëve të vet në gjuhën e tyre, nuk është shtet i barabartë. Shqipja nuk është barrë për shtetin, është realitet i tij dhe pjesë e pandashme e identitetit të tij institucional.
Prandaj, çdo përpjekje për ta relativizuar, reduktuar apo dobësuar statusin e gjuhës shqipe nuk është thjesht debat juridik. Është prekje e një ekuilibri të ndërtuar me shumë mençuri politike, me shumë përgjegjësi dhe me shumë përkushtim për të ardhmen e përbashkët. Të reduktosh të drejtat gjuhësore do të thotë të reduktosh besimin. E kur cenohet besimi, dëmtohet vetë kohezioni i shtetit.
Me shqetësim po ndiqen edhe qasje të caktuara institucionale, e veçanërisht në Gjykatën Kushtetuese, që krijojnë bindjen e palëkundur se në çështje të ndjeshme për marrëdhëniet ndëretnike nuk mbizotëron argumenti profesional e kushtetues, por një mendësi majorizuese etnike, e tejkaluar nga koha dhe e papajtueshme me frymën e Marrëveshjes së Ohrit. Kjo është arsye për kujdes serioz shtetëror.
Sepse institucionet, sidomos ato kushtetuese, duhet të jenë gardiane të barazisë, jo hapësira ku vihet në pikëpyetje ajo që është fituar si standard i bashkëjetesës demokratike.
Edhe kur flitet për vlerësimet e Komisionit të Venedikut, duhet thënë e vërteta e plotë dhe jo ajo pjesë që i shërben një narrative politike. Komisioni nuk ka konstatuar se ligji për përdorimin e gjuhëve është në kundërshtim me Kushtetutën apo me standardet ndërkombëtare. Por vlerësimet për zbatimin praktik kanë të bëjnë me nevojën për kapacitete, organizim administrativ dhe mbështetje financiare. Këto janë detyra të institucioneve përkatëse. Në asnjë demokraci serioze, siç thekson edhe vetë Komisioni i Venedikut, vështirësitë e zbatimit nuk përdoren si argument për të delegjitimuar vetë parimin e sundimit të së drejtës.
