Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, në fjalën e tij në protestën që po mbahet pro UÇK-së në Tiranë ka thënë se duhet ngritur zëri për drejtësi, për respekt e për njohje të luftës së drejtë për pragun e shtëpisë, për liri e demokraci, për pavarësi dhe miqësi me Amerikën e Evropën.
Ahmeti tha se zanafilla e Gjykatës Speciale është në raportime trilluese ruso-serbe për trafikim organesh që sipas tij, bëri bujë padrejtësisht nëpër botë.
“Këtë çështje inekzistente që doli nga kuzhinat serbe me institucione ruse e hetoi edhe Tribunali i Hagës që konstatoi se nuk është e vërtetë dhe e mbylli hetimin. Kohë më pas, Dick Marty e riaktualizoi mediatikisht këtë temë përsëri me porosi ruso-serbe dhe inicioi miratimin e raportit në Këshillin e Evropës që detyroi themelimin e Gjykatës Speciale për të hetuar trafikimin e trilluar të organeve.
“Pra, kjo gjykatë u themelua që të zbardh pretendimet për trafikim organesh me mandat nga 1 janari 1998 deri më 31 dhjetor 2000. Kjo gjykatë u themelua nga vet Kosova me qëllim që t’ia pamundësoj Serbisë që përmes Rusisë ta themelojë atë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe ta rikthej UNMIK-un ku Rusia ka të drejtë vetoje”, tha Ahmeti.
Tutje, ai u shpreh se kur u hetua dhe u kuptua se çdo gjë ishte një tillim propagandues për ta nxirë imazhin e luftës për çlirim, Prokuroria nxitoi për ta përpiluar një aktakuzë mu në ditën kur duhej të nënshkruhej marrëveshja për njohje të ndërsjellë mes Kosovës e Serbisë.
“Kur u hetua dhe u kuptua se çdo gjë ishte një trillim propagandues për ta nxirë imazhin e luftës tonë çlirimtare, prokuroria nxitoi dhe përpiloi një aktakuzë tjetër mu në ditën kur në Uashington në prezencën e presidentit Trump duhej të nënshkruhej marrëveshja për njohje të ndërsjellë midis Kosovës dhe Serbisë dhe përfundim të hasmërisë shekullore pa ndarje dhe shkëmbim territoresh.
