Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Rrahman Hotit, i dyshuar për vrasjen e rëndë të ndodhur më 18 nëntor në parkingun e një qendre tregtare në Suharekë.
Sipas njoftimit të Gjykatës, masa e paraburgimit mund të zgjasë deri më 18 dhjetor 2026, ndërsa i dyshuari po hetohet për veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 18 nëntor, rreth orës 12:00, pas një mosmarrëveshjeje të çastit lidhur me parkimin e automjeteve.
I dyshuari Rrahman Hoti dyshohet se ka qëlluar disa herë me armë zjarri të llojit “Sig Sauer” në drejtim të viktimës S.D., fillimisht përmes xhamit të automjetit dhe më pas edhe pasi kishte hapur dyert e tij.
Në momentin e të shtënave, pranë viktimës ndodheshin edhe bashkëshortja dhe vajza e tyre e mitur, jeta e të cilave, sipas Prokurorisë, është vënë në rrezik.
Viktima fillimisht është dërguar për ndihmë mjekësore në QKMF në Suharekë, e më pas në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku mjekët kanë konstatuar vdekjen e tij.




