Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) thotë se dënon ashpër pasojat e rënda ekonomike që vendi ka pësuar për shkak të bllokimit institucional dhe shkeljes së Kushtetutës, sipas AKB-së, nga partia më e madhe në vend, e cila për gjashtë muaj rresht ka propozuar të njëjtin kandidat për kryetar, në kundërshtim me ligjin themeltar të shtetit.
AKB përmes një postimi në Facebook, thotë se kjo krizë e qëllimshme politike ka paralizuar vendimmarrjen shtetërore, ka penguar funksionimin e institucioneve dhe ka shkaktuar humbje të mëdha në çdo sektor – nga prodhimi dhe eksporti, te investimet e huaja dhe projektet strategjike.
“Pasiguria politike dhe juridike për gjashtë muaj me radhë ka sjellë rreth 300 milionë euro humbje të drejtpërdrejta, rënie deri në 25% të kapaciteteve prodhuese, pezullim të kontratave ndërkombëtare dhe largim të investitorëve të huaj. Këto nuk janë vetëm statistika – janë mijëra vende pune të humbura dhe dhjetëra biznese në prag të falimentimit”, thuhet në njoftimin e AKB-së.
