Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka kritikuar ministrin në detyrë të Financave Hekuran Muratin në mënyrën se si është paraqitur rritja e buxhetit të komunave për vitin 2027.
Në një deklaratë për IndeksOnline, Ibrahimi ka thënë se rritja e prezantuar prej 40.3 milionë eurosh nuk paraqet domosdoshmërisht financim shtesë në këtë vlerë për komunat.
“Nuk mund të flitet për rritje substanciale të buxhetit komunal duke përmendur vetëm diferencën nominale prej 40.3 milionë eurosh”, ka deklaruar Ibrahimi.
Sipas tij, buxheti i komunave pritet të rritet nga 867.65 milionë euro në vitin 2026 në 907.94 milionë euro në vitin 2027, apo për 40.29 milionë euro. Megjithatë, financimi neto shtesë nga niveli qendror është rreth 31 milionë euro.
“Financimi neto shtesë nga niveli qendror është rreth 31 milionë euro. Vetëm hendeku i mundshëm në arsim arrin në 32.8 milionë euro”, ka thënë ai.
Shqetësim për AKK-në paraqet edhe shkurtimi i granteve specifike. Granti për Arsim për vitin 2027 është planifikuar të jetë 261.47 milionë euro, nga 270.27 milionë euro sa ishte në vitin 2026, pra 8.8 milionë euro më pak. Ndërkohë, Granti për Shëndetësi shkurtohet për rreth 1.91 milionë euro.
Sipas vlerësimeve të AKK-së, mungesa ekzistuese e financimit në arsim është rreth 24 milionë euro. Nëse kësaj i shtohet edhe shkurtimi prej 8.8 milionë eurosh për vitin 2027, hendeku i mundshëm financiar në arsim mund të arrijë në rreth 32.8 milionë euro.




